Një automjet është përplasur me barrierat e jashtme të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa një femër është ndaluar nga shërbimet sekrete amerikane.
“Një individ po drejtonte një automjet pasagjerësh dhe e përplasi atë me barrierat e sigurisë pranë Shtëpisë së Bardhë”, shkruan në “Twitter” shërbimet sekrete.
Drejtuesja e mjetit, një femër e paidentifikuar, është çuar menjëherë në paraburgim për t’u marrë në pyetje. Mjeti i saj, gjithsesi, nuk e theu barrierën e sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, e kësisoj asnjë zyrtar nuk ka mbetur i plagosur.
Shërbimet sekrete shtuan se nuk është dëgjuar asnjë e shtënë. Presidenti Trump ndodhej brenda selisë së tij në momentin e incidentit, duke u takuar me kryeministrin e Australisë, Malcolm Turnbull.
Pamjet e një automjeti të vogël e të bardhë, Chevrolet, me një targë të shtetit të Tennessee, janë publikuar nëpër medie të ndryshme, duke treguar edhe thyerjen e xhamit të pasëm të tij. Sipas reporterëve të huaj, të mbyllur në dhomën e shtypit, oficerët e shërbimeve sekrete u panë të vraponin drejt rezidencës presidenciale.
Shtëpia e Bardhë u vendos për pak kohë në “shtetrrethim”, ndërsa zyrtarët e sigurisë në gatishmëri maksimale.
Kjo nuk është hera e parë e incidenteve me sigurinë në Shtëpinë e Bardhë gjatë viteve të fundit. Në mars të vitit 2017, një person i armatosur me një sprajt kaloi më shumë se 16 minuta brenda territorit të Shtëpisë së Bardhë pasi kapërceu gardhin. Por Trump nuk ishte në rezidencë asokohe.
Në shtator të vitit 2014, një ushtarak veteran i armatosur me thikë hyri në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë pasi kaloi gardhin, duke shkaktuar dorëheqjen e ish-drejtores së shërbimeve sekrete, Julia Pierson.
Në tetor të vitit 2013, një sanitare dentare nga Connecticut bëri një kthesë 180 gradë pasi u përpoq të hynte në pikën e kontrollit të Shtëpisë së Bardhë. Pas një ndjekjeje policore, ajo u qëllua për vdekje nga oficerët, pranë Capitol Hill. Vajza e saj 13-muajshe u gjet pa plagë në pjesën e pasme të automjetit.
Top Channel