Foto LSA

Pas dorëheqjes së Eduard Halimit, biznesmeni Astrit Veliaj u rikthye në Parlament, si deputet. Por mandatin që mori sot, e refuzuan më parë dy gra, që u takonte sipas kuotave gjinore. Zoti Astrit Veliaj i tha Top Channel se si e shihte këtë rikthim, në këtë mënyrë.

Pas dorëheqjes së Eduard Halimit si deputet dhe refuzimit në të njëjtën ditë të dy zonjave për të marrë vendin që u takonte në respektim të kuotave gjinore, në oborrin e Parlamentit mbërriti Astrit Veliaj.

“Çdo gjë e ligjshme”, tha ai para se të hynë në ambientet e Parlamentit. Deputeti i vetëm demokrat që përfaqëson tashmë qarkun e Beratit u betua në fillim të seances plenare.

Rikthimi i biznesmenit, Astrit Veliaj si deputet në Parlament u parapri me komente dhe diskutime në media dhe në opinionin publik.

Spostimi i menjëhershëm i dy zonjave nga lista ndonëse ligjërisht korrekt, solli në mend rastin e Lezhës në legjislaturën e kaluar, kur Arben Ndoka u bë deputet dhe Partia Demokratike tha se dy kandidatet socialiste u tërhoqën pas kërcënimit prej tij.

Top Channel