Epidemia e fruthit, Vasili: Shteti kërcënohet nga qëndrime të ashpra ndërkombëtare

22/02/2018 12:33

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, tha se qeveria kërcënohet nga qëndrime të ashpra të organizmave ndërkombëtarë për situatën e fruthit në vend. Sipas Petrit Vasilit, qeveria ia ka lënë këtë situatë spontanitetit.

“Këtu i referohet vetëm ligjit, të cilat e di që refuzohen se nuk kuptohen. Emergjencë ndërkombëtare që trajtohet nga institucionet ndërkombëtare që na imponon rregulla të tjera. Të jeni të bindur që shteti shqiptar mund të kërcënohet dhe nga qëndrime të ashpra të trajtimit të rrezikshëm të kësaj epidemie duke ia lënë spontanitetit. Ky reflektim duhet të kishte ndodhur prej javësh, po së paku do të shërbente si sensibilizim për qytetarët”, tha Vasili.

Vasili tha se sot as ministri i Shëndetësisë nuk ka shifër të përafërt të atyre që duhet të vaksinohen, por as një fond shtesë për vaksinat e tjera për të përballuar epideminë.

“Sot as qeveria as ministri i Shëndetësisë nuk kanë shifrën e përafërt të atyre që duhet të vaksinohen në një situatë të re, sot Shqipëria nuk ka vendosur asnjë lek cili duhet të jetë fondi shtesë i vaksinave të tjera për të përballuar epideminë. Këto janë fakte publike”, tha Vasili.

Top Channel