Punëtorët e bypass-it të Fierit dhe të atij të Vlorës dolën në një protestë këtë të enjte para Kuvendin, ku kërkonin rrogat e pamarra nga puna që kanë kryer deri më tani në këto dy vepra infrastrukturore.

Pagesat janë të pashlyera nga kompani nënkontraktore të firmës që kishte fituar tenderat për ndërtimin e këtyre bypass-eve. Por, kjo kompani deklaroi falimentin, ndërkohë që kompanitë nënkontraktore të saj pretendojnë se nuk janë shlyer për punët e bëra dhe për pasojë nuk kanë paguar as punëtorët.

Për punëtorët e thjeshtë, situata bëhet më absurde pasi faturat e kompanive nënkontraktore nuk njihen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

“Dua t’ju bëj me dije që Autoriteti Rrugor nuk ka asnjë detyrim ligjor që të bëjë pagesa për nënkontraktorët të cilët kanë kontratë me Serenissimën, nëqoftëse e bën një gjë të tillë, shkel ligjin. A kanë të drejtë nënkontraktorët apo jo? Janë në të drejtën e tyre. Ne kemi një shkresë zyrtare nga Serenisima, ku u njeh kompanive detyrimin që u ka atyre. Ne e kemi këtë, ndërkohë që nuk kemi asnjë veprim fundor, që do të thotë të kemi ndonjë vendim gjyqi, ose veprim gjyqësor midis kompanive që kanë borxhe dhe Serenisimës, ne thjesht kemi pretendimin shoqëruar me disa fatura që këto kompani kanë punuar me Serenisimën. Kjo është situata”, deklaron kreu i ARRSH-së, Afrim Qëndro.

Qëndro thotë se ARRSH është në gjyq me këtë kompani që në momentin që ajo shpalli falimentin.

“Nuk kemi ne një përfundim të asnjërit prej proceseve gjyqësore dhe garancitë që ka vendosur firma Serenisima për ndërtimin e këtyre dy by passeve janë akoma të bllokuara në bankë, sepse jemi në proces gjyqësor”, thotë ai.

Kush e ka përgjegjësinë? Qëndro përjashton ARRSH-në, ndërsa sa u takon punimeve, ai shton se ARRSH ka rihapur garën për përmbyllur punimet në këta dy bypass-e.

Kompania italiane Serenissima, e cila duhet të ndërtonte by-pass-in e Fierit dhe atë Vlorës falimentoi në fillim të vitit të kaluar dhe qeveria shqiptare ka sekuestruar dy kantierët e ndërtimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA