Roskovec, qytetarët figurojnë debitorë edhe pse e kanë paguar ujin

21/02/2018 20:31

Banorë të fshatit Strum-Roskovec u ankuan në “Fiks Fare” për një problematikë që ka lindur së fundmi lidhur me pagesat e ujit të pijshëm ndër vite.

Sipas tyre, një grup inspektimi nga Ujësjellës-Kanalizimet Roskovec i kanë njoftuar derë më derë se shumë prej tyre janë debitorë për një, dy ose më shume muaj pranë Ujësjellësit, ndërsa librezat e tyre janë të nxira muaj për muaj nga vula dhe firma të pagesave që kanë bërë rregullisht.

Gjatë verifikimit, gazetarët e “Fiksit”, përveç ankesave të banorëve që ishin me libreza të paguara, intervistuan gjatë punës edhe inspektorët e Ujësjellësit Roskovec.

Ata kishin dalë derë më derë dhe informonin qytetarët për debitë e tyre. Sipas këtyre punonjësve, një numër i konsiderueshëm, por ende i pasaktë, pasi janë në verifikim e sipër, rezultojnë se i kanë paguar. Gabimi qëndron pasi pagesa nuk është shkarkuar nga ish-Komuna Strum.

Ujësjellës-Kanalizime Roskovec është një ndërmarrje e re e krijuar së fundmi dhe me ndarjen e re administrative ka bartur edhe borxhin e akumuluar. Në rang bashkie, Roskoveci ka një debi të bartur rreth 200 milionë lekë. Njësia Administrative Strum ka 1.500 abonentë dhe sipas drejtorit të UKR-së është gjetur me një debi prej 40 milionë lekësh.

Muajt që janë debitorë janë të pacaktuar

Qytetarët ankohen gjithashtu se nuk janë të informuar se për cilët muaj janë debitorë. Sipas tyre kanë 3 ditë që sorollaten dhe u thuhet vetëm që janë debitorë për vitet 2015 apo 2016, por jo për muaj konkretë.

Përgjigje nuk marrin as pranë zyrave të UKR-së, ku punonjësja i thotë se pasi të verifikohen ndoshta në mbledhjen e tij, këshilli mund t’i zerojë ato debi që dalin të pashkarkuara nga ish-komuna.

Por e gjithë kjo sorollatje “njësi-ujësjellës” po i kushton më shumë qytetarëve që lënë punën, apo hallet e përditshme, për t’u marrë me sqarime apo verifikime që vijnë për faj të institucioneve.

Drejtori i Ujësjellësit të Roskovecit, u paraqit menjëherë pranë Njësisë Administrative Strum, sapo u kontaktua nga punonjësit për të sqaruar gazetarët e “Fiks Fare”. Sipas tij, nga verifikimet që janë bërë, njësia Strum nuk ka bërë rakordimet me Zyrën Qendrore të Taksave dhe abonentët kanë paguar, por nuk janë hequr nga sistemi.

“Ne jemi në verifikim e sipër për të parë nëse këto lekë janë derdhur, apo ka abuzime nga faturistët. Të gjitha ankesat e qytetarëve do të trajtohen dhe do të jepet zgjidhje”, përfundon drejtori i UKR-së, Admirand Stani.

Zyra e ankesave, UKR

Fiksi – Çfarë muajsh më dalin pa paguar?
Punonjësja e UKR – Është në 2016 kur bëje pagesën tek posta. Është një 506 lekësh.
Punonjësja e UKR – Që andej është debi, nuk është debi që e ke këtu. Se këtu je në rregull. Ku bëhej që ishte ujësjellësi …
Fiksi – I kujt muaj është ?
Punonjësja e UKR – Po nuk e kam unë, e kam 2016. Nuk e kam me muaj.
Punonjësja e UKR – Mund të jetë një muaj në 2016 kur ishte tek komuna ujësjellësi! Që është i pa paguar si muaj.
Qytetari – Erdha për këto pardje dhe më thatë që është Qershor- Korrik.
Punonjësja e UKR – Po. Të kam thënë Qershor- Korrik. Po.
Qytetari – Tani ta dimë saktë ne çfarë muaj kam pa paguar unë zonjë?
Punonjësja e UKR – Tani unë po të them që për 2016 është 560 lekë. Të thashë që mund të jenë Qershor- Korrik 2016, sepse janë dy muaj që mund të jenë nga komuna. Mund të jenë edhe muaj më përpara. Nuk e di. Por bëhet fjalë për 2016.
Qytetari – Po ata po na vijnë dhe na kërkojnë lekë ne?
Punonjësja e UKR – Po mirë unë të thashë, tregoj librezën, kam bërë pagesë edhe kaq. Kur të merret vendimi do bëhet zero ky 560 lekësh.
Qytetari – Çfarë vendimi do merret?
Punonjësja e UKR – Do mblidhet një këshill për juve që keni bërë pagesën dhe nuk janë bërë shkarkimet?
Fiksi – Po pse nuk janë bërë shkarkimet?
Punonjësja e UKR – Po tani nuk është faji im ai. Se nuk është faji këtu është nga komuna.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel