Reformimi i Akademisë së Shkencave do të sjellë një sërë ndryshimesh në ligjin për këtë institucion.
Pas debatit të ashpër deri në luftën për ekzistencë të Akademisë, anëtarët e saj kanë nisur punën për reformim, një kërkesë e detyrueshme nga Qeveria.
Grupi i punës i ngritur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka nisur takimet për ndryshimet në ligjin për Akademinë. Një nga pikat më të rëndësishme të draftit për ligjin e ri është procesi i anëtarësimit, i cili deri më tani bëhet përmes propozimeve të anëtarëve të akademisë, ndërsa sipas draftit të ri, propozimet dhe filtrimet do të jenë më të hapura duke përfshirë edhe institutet.
“Meqenëse anëtarësimet janë një pikë e nxehtë gjithmonë, sepse është mesazhi i parë që jep një Akademi, është edhe cilësia e anëtarësimit. Pra, ky nuk do të jetë proces i mbyllur. Krahas akteve nënligjore, do të jenë në mënyrë eksplicite kriteret dhe procedurat e pranimit. Në to do të marrin pjesë të tëra institutet e kërkimit, shkollat e larta, përfaqësues të tyre, pra do të ngrihen struktura të posaçme”, deklaroi Skënder Gjinushi, kryetar i Grupit të Punës.
Lidhur me debatin për institutet, ndonëse sipas tyre janë një model i dështuar, akademikët duket se kanë bërë lëshime, duke lënë një derë të hapur për ndryshim.
“Në mënyrë të çuditshme debati u përqëndrua më shumë nëse duhet të jetë akademia me, apo pa institute, ndonëse ka mbi 10 vjet që është pa institute. Nuk ka qenë ndonjë përvojë pozitive, megjithatë sot ka një konsensus që të vazhdojë e tillë. Institutet janë pozicionuar sot kryesisht pranë shkollave të larta, por kudo, kjo çështje nuk quhet e mbyllur dhe nuk ka zgjidhje homogjene”, shton Gjinushi.
Akademikët parashikojnë gjithashtu në ligjin e ri ngritjen e një strukture akademike në qeveri dhe një tjetër në Ministrinë e Arsimit, e cila do të ketë funksion këshillues.
Top Channel