Platforma për UT, pedagogët pas takimit me Nikollën: Afat deri më 10 mars

21/02/2018 21:40

10 pedagogë të Universitetit të Tiranës biseduan kokë më kokë me ministren Lindita Nikolla për kolapsin që ka mbërthyer Universitetin e Tiranës.

Në një takim me dyer të mbyllura, që zgjati 2 orë e gjysmë, përfaqësuesit e Forumit për Liri Akademike, me në krye Mark Markun i paraqitën ministres kërkesa konkrete. Pedagoët ofrojnë edhe një platformë zgjidhjeje, por kërcënojnë edhe me rrugë të tjera nëse Qeveria nuk bashkëpunon për ta çliruar, siç thonë ata Universitetin e Tiranës nga gjendja ku ndodhet.

“Nëse nuk do të marrim përgjigje, do u drejtohemi të gjitha formave demokratike, që është edhe protesta”, deklaron pedagogu Mark Marku.

Çfarë kërkon Forumi i Pedagogëve nga ministrja Nikolla?

“Kemi diskutuar për bllokimin institucional të Universitetit të Tiranës, për mungesën e autonomisë reale financiare, përmbajtësore, për pasojat që ka krijuar ligji i arsimit të lartë, mundësine statusit të profesorit, për rritjen e pagave”, thotë pedagogu Marku.

Por cila ishte përgjigjia që ata morën nga ministrja Nikolla?

“Ministrja kërkoi kohë, për të diskutuar, për të na dhënë përgjigje dhe koha është data 10 mars. Edhe qeveria s’ka interes që ta lejë gjendjen të thellohet më keq. Por qeveria nuk pranon që problematika qëndron te zbatimi i ligjit të ri të arsimit të lartë. Fakti që qeveria po diskuton ka 10 ditë do të thotë që problemi ekziston. Nëse qeveria mohon që s’ekziston problemi është problem autik i Qeverisë, nuk është problemi jonë”, shtoi Marku.

Top Channel