Një goditje e rëndë i është dhënë trafikut të drogës në Ravenna të Italisë. Pas muajsh të tërë hetimesh, agjentët italianë kanë zbuluar një laborator droge në një apartament në periferi të Ravenës. Aty kanë gjetur gjithçka të dobishme për paketimin e rreth 41 kg lënde narkotike, e gatshme për t’u hedhur në treg.
“Kjo është sasia më e madhe e sekuestruar ndonjëherë në Ravenna në kujtesën tonë, – ka konfirmuar shefi i policisë, Eugenio Russo, – që do të kapte një vlerë prej rreth një milion eurosh”.
Banda e drogës, sipas tij, nuk duket të ketë lidhje me atë që kishte transportuar tonelata droge në rivierën italiane, që u bllokua nga karabinierët gjatë operacionit të disa muajve më parë.
Sipas deklaratës së organeve ligjzbatuese, “jemi përballë një bande profesionistësh, që përveç trafikut të kokainës, mbante edhe disa pistoleta të vjedhura në Romagna, ndaj me siguri do të kenë qenë në kontakt me bandat e hajdutëve që plaçkisin shtëpitë”.
Armët iu shërbenin për mbarëvajtjen e operacioneve të trafikut të drogës dhe ishin të gatshme për përdorim. Edhe droga, që me shumë mundësi ka mbërritur nga Holanda, ishte e ndarë në disa copëza të vogla, e gati për t’u shitur në të gjithë rivierën e Adriatikut.
“I kemi dhënë një goditje të fortë trafikut të drogës dhe jam krenar nga puna e skuadrës sonë në terren, në bashkëpunim me Prokurorinë e Republikës në Ravenna. Operacioni hetimor ka nisur këtu dhe është zhvilluar në mënyrë shembullore”.
Detaje mbi bandën nuk jepen, pasi hetimet janë ende në zhvillim. Por, në “apelin” e policisë mungon një armë, e kjo presupozon që të paktën një element i bandës është ende në liri. Të tjerët janë ndaluar dhe janë në proces identifikimi, ndërsa brenda pak orësh mund të jepen edhe detaje. Sa i përket kombësisë së tyre ka disa të dhëna domethënëse: disa fjalë shqip në pakot e drogës, që të bëjnë të mendosh edhe praninë e trafikantëve shqiptarë.
Apartamenti rezulton në pronësinë e një gruaje dhe ishte bosh, ndoshta në një fazë riparimi. Por zonja në moshë duket se nuk ka asnjë informacion mbi atë që zhvillohej brenda saj. Hetimi nisi pikërisht kur në këtë apartament të boshatisur ishte vënë re që drita mbahej gjithnjë e hapur, e pati shumë qarkullime të dyshimta njerëzish.
Në një moment u vendos të ndërhyhej, e në apartament u gjetën disa trafikantë dhe të gjitha pajisjet e nevojshme për përgatitjen dhe ndarjen e drogës. Ngarkesa ishte thuajse gati për t’u transportuar. Përveç 41 kg heroine, sasi nga e cila 1 kg ishte e pastërtisë 100%, janë gjetur edhe 80 kg paracetamol, që do të përzihej me heroinën.
“Nëse konsiderojmë se një gram heroine shitet rreth 20 euro, llogaritë bëjini vet”, tha drejtuesi i skuadrës së agjentëve. “Jemi përballë një vlere që shkon deri në rreth një milion euro në tregun e zi, një shifër e konsiderueshme”.
Top Channel