Forumi i biznesit Çeki-Shqipëri, Ruçi: Bashkëpunim në shumë fusha ekonomike

21/02/2018 09:43

Kreu i Kuvendit mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Forumit të Biznesit të Republikës Çeke dhe të Republikës së Shqipërisë, duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në shumë fusha ekonomike si energjia, industria petrokimike, infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, agro-makineria, teknika bujqësore dhe teknologjia, turizmi dhe ndërtimi si edhe i rrjeteve të hotelerisë.

Ruçi në fjalën e tij u ndal edhe tek aspirata e Shqipërisë për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, dhe për këtë, falënderoi Presidentin e Senatit të Çekisë Milan Stech për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë vendi i tij në aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi:
Ndjehem i nderuar që bashkë me Kryetarin e Senatit të Çekisë, po hapim Forumit e Biznesit të Republikës Çeke dhe të Republikës së Shqipërisë.
Marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona kanë një histori zhvillimi të vazhdueshëm. Çekia për Shqipërinë është një vend i rëndësishëm dhe mbështetës i vendosur për anëtarësimin tonë në BE, ashtu siç ka qenë mbështetës edhe për anëtarësimin tonë në NATO.
Është sigurisht me rëndësi të theksohet se marrëdhëniet shumë të mira politike duhet dhe kanë nevojë të reflektohen edhe në bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, bashkëpunim i cili në marrëdhëniet tona ka një tendencë arritje.

Ky forum është një dëshmi kuptimplotë e dëshirës dhe vullnetit tonë të përbashkët për të forcuar këtë bashkëpunimin ekonomik duke përligjur kështu edhe miqësinë historike, tradicionale midis dy vendeve dhe dy popujve tanë.

Ky forum është një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer mundësi konkrete bashkëpunimi për të ardhmen në fusha dhe sektorë me interes të përbashkët dypalësh.

Në këtë kontekst, mirëpresim interesin e kompanive çeke në sektorin e energjisë, të industrisë petrokimike, të infrastrukturës rrugore dhe asaj hekurudhore, të agro-makinerisë, teknikës bujqësore dhe teknologjisë, turizmit dhe ndërtimit si edhe të rrjeteve të hotelerisë.
Ndërkohë dëshiroj të nënvizoj se reformat e ndërmarra vitet e fundit, veçanërisht reforma në drejtësi, përbëjnë një garanci për suksesin dhe thellimin e mëtejshëm të bashëkpunimit në këto fusha.

Konstatoj me kënaqësi se dy vitet e fundit tregtia e shkëmbimeve mes dy vendeve ka shënuar rritje. Ndërkohë që turizmi mbetet një nga fushat kryesore të bashkëpunimit me Republikën Çeke, ku zbatimi i Marrëveshjes për Turizmin të nëshkruar para dy viteve e gjysmë, ofron mundësi të reja.
Bashkëpunimi në fushën e kulturës, arsimit dhe shkencës është gjithashtu një element i rëndësishëm i afrimit midis dy vendeve tona, dhe mundësi për të rritur dhe forcuar lidhjet tona.

Më lejoni të siguroj këtë audiencë të nderuar për angazhimin e plotë të Kuvendit të Shqipërisë që përmes punës së komisioneve parlamentare, të deputetëve të veçantë, të grupit të miqësisë dhe të organeve të tjera, të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe fushat të tjera me interes të përbashkët në të mirë të vendeve dhe popujve tanë.

Të nderuar pjesëmarrës. Ne besojmë në një rajon tërësisht të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe në heqjen e pengesave të panevojshme ndaj lëvizjes së lirë të njerëzve, tregtisë dhe mallrave, të cilat janë thelbësore për rritjen tonë ekonomike dhe për arritjen e paqes sociale dhe stabilitetit politik në kontinentin evropian dhe përtej.

Në përfundim të fjalës sime, duke i uruar punë të mbarë këtij forumi biznesi, shpreh bindjen e thellë se ky do t’i japë kompanive shqiptare dhe çeke mundësinë për të ndarë përvojat e tyre, për të zgjeruar rrjetin e tyre të bashkëpunimit dhe për të krijuar mundësi reale për investime konkrete.
Ju lutem më lejoni edhe një herë të falënderoj për këtë mundësi që mu dha nëpërmjet vizitës së Kryetarin e Senatit Çek dhe delegacionin që ai kryeson dhe vizitën e shumëpritur në Tiranë me urimet e mia më të përzemrëta.
Ju falemnderit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA