Refuzimi i autorizimit për “detin”, MEPJ: Po shqyrtojmë letrën e Presidentit

20/02/2018 14:31

Me anë të zëdhënëses, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas refuzimit të autorizimit nga ana e Presidentit për çështjen e negociatave me Greqinë.

Në deklaratë thuhet se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po shqyrton letrën e Presidentit të Republikës dhe se do t’i përgjigjet në rrugë institucionale.

Më tej në deklaratë theksohet se procesi i nisur me Greqinë është kompleks, ndaj kërkon qetësi, maturi, institucionalizëm dhe jo projektimin e një anormaliteti që nuk ekziston

Deklarata e plotë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po shqyrton letrën e Presidentit të Republikës, në përgjigje të kërkesës së dërguar prej saj, për lëshimin e autorizimit për fillimin e negociatave me palën greke për delimitimin e hapësirave detare mes dy vendeve.

Çështjeve të ngritura nga Presidenti i Republikës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do t’u përgjigjet në rrugë institucionale. Sikundër Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme është i angazhuar për të vijuar bisedimet e konsultimet e nisura me Presidentin e Republikës për të gjitha çështjet me interes për këtë proces.

Procesi i nisur me Greqinë është kompleks, ndaj kërkon qetësi, maturi, institucionalizëm dhe jo projektimin e një anormaliteti që nuk ekziston.

Top Channel