Provat e hetimit për “CEZ”, të njëjtat u përdorën edhe në dënimin e Ismailajt

20/02/2018 15:05

Prokurorja Antoneta Sevdari i ka dorëzuar Gjykatës së Tiranës ditën e martë të gjitha provat e organit të akuzës ndaj dy ish-drejtuesve çekë të CEZ-it, Josef Hejsek dhe Jan Ivan, të akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda.

Referuar këtyre provave, rezultojnë se ato janë thuajse të njëjta me ato prova me të cilat në muajin tetor të vitit të kaluar Gjykata e Tiranës dënoi me 11 vite burgim ish-administratorin e DIA-s, Kastriot Ismailaj.

Janë gjithashtu të njëjtët dëshmitarë dhe deklarata që u përdorën kundër Ismailajt, ku ndër më kryesorët janë deklaratat e dëshmitarëve të mbrojtur, ish-juristëve të DIA-s, Romeo Karaj dhe Elvis Mataj.

Sipas këtyre dëshmive dhe provave, dy ish-drejtuesit e CEZ në bashkëpunim me Kastriot Ismailajn, kanë paguar me vetëdije faturat e Ismailajt në vlerën e rreth 5 milionë eurove, duke e ditur se punët nuk ishin realizuar dhe se faturat ishin fiktive.

Pas dorëzimit të provave nga prokuroria, avokati mbrojtës i çekëve, Arben Rakipi ka kërkuar kohë për t’u shprehur në lidhje me to si dhe për të kërkuar edhe ai provat e mbrojtjes.

Top Channel