Demokratët shprehen se qeveria ka dhënë një përgjigje të cunguar dhe jashtë afatit ligjor për sistemin e pikëve mbi bazën e të cilës vendos për ndihmën ekonomike.

Anëtarja e Komisionit të Çështjeve Sociale Grida Duma publikoi përgjigjen e cunguar të qeverisë, jashtë afatit ligjor, ku renditen vetëm kriteret, por jo pikët, siç kërkohej në shkresën e 31 janarit.

Sipas shkresës së publikuar nga Duma, PD thotë se qeveria vazhdon të fshehë sistemin e pikëve që merr secili kriter dhe si përllogariten në çdo zonë ku po aplikohet kjo skemë.

“Kjo përgjigje e detyruar e Ministrisë së Shëndetësisë, vërtetoi shqetësimin tonë të parë që kriteret e vendosura për të përfituar ndihmën ekonomike janë jashtë standardit të kushteve të jetës minimale. Po ashtu vërtetohet që qeveria nuk pranon të bëjë transparente pikët përkatëse të çdo kriteri sepse nëse i publikon do të shfaqet qartë mënyra se si manipulohet me kriteret dhe përzgjedhjen e përfituesve. Në këto kushte flagrante të shkeljes së të drejtës së informimit për qytetarët është bërë abuzimi me bukën e gojës apo me ilaçet e përditshme për çdo familje duke i hequr plotësisht nga skema.Partia Demokratike do të ndjekë çdo hallkë dhe veprim politik dhe ligjor për të siguruar rimarrjen e të drejtës për ndihmë ekonomike të familjeve në nevojë”, shkruan Duma.

Top Channel