Partia Demokratike thërret Kuvendin Kombëtar më 30 maj, zbulohet edhe axhenda
Partia Demokratike dorëzoi të martën në Kuvend kërkesën për mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama për heqjen nga skema e ndihmës ekonomike të më shumë se 20 mijë familjeve.
Opozita thotë se këto familje ndodhen në një varfëri ekstreme. Në kërkesën e Partisë Demokratike theksohet se përjashtimi është abuziv, i bërë në procedura aspak transparente, në tejkalim të përcaktimeve ligjore dhe në kushtet e ndjekjes penale.
“Nga kontaktet direkte, qindra kryefamiljarë kanë pohuar se nuk kanë para për bukë në kuptimin e parë të fjalës. Situata e verifikuar deri më tani është shkaktuar prej papërgjeshmërisë së qeverisë dhe ka rënduar gjendjen e këtyre familjeve në kufijtë e një drame njerëzore dhe të një emergjence kombëtare, pasi ndihma ekonomike është e vetmja mundësi mbijetese për ta”, thuhet në kërkesën e PD.
PD thotë se me këtë përjashtim është shkelur edhe Kushtetuta. Kërkesa për mocion me debat u paralajmërua të hënën nga Lulzim Basha pas mbledhjes së grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Basha e cilësoi holokaust nxjerrjen e këtyre familjeve nga skema.
Top Channel