Vetting politikës? Xhafaj: Kam gati projektin, i nënshtrohem vetë i pari

19/02/2018 14:50

Ishte thirrur të fliste për vettingun në polici, projektligji për të cilin është futur në Parlament me procedurë të përshpejtuar, por ajo që ra bëri përshtypje në fjalën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj përpara Komisionit të Sigurisë kombëtare ishte vettingu për politikanët, për të cilët tha se e ka gati një projekt.

Pas vettingut në drejtësi dhe polici, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj la të hapur mundësinë e një procesi të tillë edhe në radhët e klasës politike.

Për këtë Xhafaj u tha deputetëve të komisionit për sigurinë kombëtare se ka edhe një projekt të gatshëm.

“Besoj fort që në mënyrën si është ndërtuar dhe vetë Reforma në Drejtësi, në mënyrën se si është konceptuar ajo, unë besoj shumë shpejt që do të kemi dhe Vetting për politikën, qoftë për çështje të figurës, qoftë për çështje të njerëzve në politikë dhe në mënyrë të veçantë të atyre që kanë pasur rol vendimmarrës, në fatet e këtij vendi dhe në pasuritë e qytetarëve të këtij vendi”, tha Xhafaj.

Para se të linte në mes diskutimet në komision pasi duhet të udhëtonte drejt Londrës për arsye pune, Xhafaj tha po ashtu se është i gatshëm t’i nënshtrohet ai i pari vetingut nga radhët e politikës.

Top Channel