Trump tërhiqet për armët, kërkon kontrolle më të rrepta

19/02/2018 19:00

Presidenti amerikan Donald Trump ndryshon qëndrim sa i përket kontrolleve lidhur me armët, në vazhdën e masakrës në shkollën e mesme të Floridës.

Zëdhënësja e tij, Sarah Huckabee Sanders sqaroi se presidenti i mbështet përpjekjet që synojnë ta bëjnë më të vështirë blerjen e armëve nga kriminelët.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, numri një i Uashingtonit kishte biseduar me senatorin republikan, John Corny, dhe kolegun e tij demokrat, Chris Murphy, lidhur me një projekligj konsensual të prezantuar prej tyre që do të detyrojë shtetet dhe agjencitë federale të raportojnë më shpesh akuzat, që do të pengonin një individ të blinte armë zjarri.

Nisma pason raportimet se, vrasësi i dyshuar i 17 personave në shkollën e mesme të Parklandit, në Florida, e kishte blerë në mënyrë të ligjshme armën e tij.

Trump, i cili ka qenë një mbështetës i fortë i së drejtës për të zotëruar armë, u kritikua ashpër për reagimin fillestar ndaj tragjedisë në shkollë.

Në një postim në “Twitter”, ai tha se u përcillte ngushëllimet dhe lutjet familjarëve të viktimave, duke nxitur komentet e ashpra të disa studentëve që i kërkuan atij të bënte diçka, në vend që të lutej.

Nxënësit që i mbijetuan sulmit në Parkland u zemëruan edhe pas deklaratës së presidentit, të dielën, kur ai e lidhi dështimin e FBI-së në adresimin e paralajmërimeve për të dyshuarin 19-vjeçar, Nikolas Cruz, me angazhimin e ekzagjeruar të saj në hetimin mbi Rusinë.

Ata protestuan në Uashington, në përpjekje për të detyruar ligje më të rrepta për armët. Sipas statistikave, mbi 30 mijë njerëz vdesin çdo vit në incidente të lidhura me armët në SHBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA