Avokati shqiptar i Nezar Seitajt, i njohur si financieri i grupit të Habilajve, është marrë në pyetje në lidhje me ekstradimin e paprecedentë të klientit të tij drejt Italisë.
Avokati Detar Hysi është pyetur në prokurorin e Durrësit, e cila ka nisur hetimet për të verifikuar procedurat e ndjekura për ekstradimin e Seitajt, ndaj të cilit gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur masë sigurie arrest me burg për llogari të hetimit në kuadër të grupit të Habiljave.
Në këtë procedim po hetohet edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Burime të Top Channel u shprehen se avokati Hysi, ka shpjeguar mënyrën se e kishte marrë vesh për ekstradimin e papritur të klientit të tij si dhe ka dëshmuar faktin se kishte informuar edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda për këtë ekstradim.
Avokati ka pohuar gjithashtu se ekstradimi i Seitajt është bërë në të njëtën ditë kur ai kishte firmosur zgjatjen e hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Ekstradimi i Nezar Seitajt, përveç procedurës ekstraproceduriale që është ndjekur duke thyer masën e arrestit, që kishte vendosur Gjykata e Krimeve të Rënda, u shoqërua edhe me akuza nga opozita. Ajo akuzoi mazhorancën se e ekstraduan Seitaj në kundërshtim me ligjin, pasi ai ishte i vetmi dëshmitar që mund të dëshmonte ndaj Saimir Tahirit për implikimin në grupin e Habilajve.
Top Channel