Fruthi përhapet në Europë, OBSH: 21 mijë të prekur, 35 viktima

19/02/2018 15:02

Fruthi është rikthyer në Europë. Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se sëmundja ka prekur plot 21 mijë e 315 persona dhe ka shkaktuar 35 viktima në vitin 2017, pas një numri më të ulët rastesh të një viti më parë.

Zyra rajonale e OBSH-së për Europën ka publikuar të dhënat e reja për vitin e kaluar, një ditë para takimit ministror për vaksinimin, që do të mbahet në Mal të Zi më 20 shkurt.

“Çdo person i ri, i prekur nga fruthi në Europë, na kujton se fëmijët dhe të rriturit e pavaksinuar, pavarësisht se ku jetojnë, mbeten në rrezik të preken nga sëmundja dhe ta përhapin te të tjerët. Mbi 20 mijë raste të personave të prekur nga fruthi dhe 35 jetë të humbura vetëm në vitin 2017 janë një tragjedi, të cilën thjesht ne nuk mund ta pranojmë”, thotë dr. Zsuzsanna Jakab, drejtore e Zyrës Rajonale të OBSH-së për Europën.

Vala më e fundit e shpërthimit të rasteve të fruthit prek 1 në 4 shtete europiane. Numri më i madh i rasteve janë raportuar në Rumani, me 5.562 raste, Itali me 5.006 raste dhe Ukrainë, me 4.767 raste, vende këto ku kohët e fundit ka pasur një tendencë në rënie të vaksinimit.

Greqia, me 967 raste, Gjermania me 927 raste, Serbia me 702 dhe vende të tjera kanë regjistruar po ashtu një rritje të ndjeshme. OBSH njofton se është angazhuar në fronte të ndryshme për të parandaluar përhapjen e rasteve të reja, ku rol kryesor ka ndërgjegjësimi i publikut për vaksinimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA