Dy ish-drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika dhe Andi Toma do të qëndrojnë në burg deri në fund të hetimeve të nisura ndaj tyre nga Prokuroria e Elbasanit.

Xhika dhe Toma së bashku me të arrestuarit e tjerë, që akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe të fondeve publike në vlerën afro 500 milion lekë për rrugën Elbasan-Gjinar, ankimuan vendimin e Gjykatës së Elbasanit, duke kërkuar vazhdimin e hetimeve në gjendje të lirë.

Pasi dëgjoi palët, Apeli la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për dy ish-krerët e Autoritetit Rrugor,Xhika dhe Toma, si dhe mbikqyrësin e punimeve në rrugën e Gjinarit Rexhep Tarba, ndërsa për dy vëllezërit biznesmenë Agron dhe Kujtim Hysa dhe administratoren e kompanisë “Arifaj” Rezarta Bokçiu gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim me paraqitje”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta persona, sipas detyrave dhe funksioneve që kanë pasur, kanë kryer veprime dhe mosveprimeve të kundërligjshme, që kanë sjellë si pasojë shpërdorimin e fondeve publike të dhëna nga buxheti i shtetit për Sistemim dhe asfaltim te rrugës Elbasan-Gjinar, ndërkohë që ndërtimi nuk është realizuar.

Për ish drejtorin e autoritetit rrugor Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë ka vendosur një tjetër masë “arrest me burg”. Kesaj radhe hetimet nisën pas kallëzimit nga KLSH në 2016 për dëm ndaj shtetit me vlerë mbi 6 mln euro për abuzime në rrugën Tiranë-Elbasan.

Top Channel