Edhe pse duket një koncept i largët e deri diku abstrakt, ngrohja gobale duket se ka dhënë efektet e saj të dukshme.
Në kamerat kurth të vendosura nga Administrata e Zonave të Mbrojtura, për monitorimin e faunës së egër në Parkun Kombëtar të Shebenikut, janë vërejtur lëvizje të arinjve edhe në këtë kohë me dëborë.
Specialistët e shpjegojnë këtë fakt me rritjet e temperaturave, gjë që do të thotë se ariu nuk po e bën më gjumin e tij letargjik.
Sipas banorëve të zonës, dikur këtu dëbora arrinte në 2 metra dhe nuk largohej për muaj të tërë, por prej shumë vitesh dimri është zbutur.
Gjurmët e arinjve dallohen në dëborë, po aq qartë dhe dendur sa edhe kafshët e tjera joletargjike, ndërkohë që dimri është në kulmin e tij. Kamerat kurth janë të vendosura aty ku mendohet se janë shtigjet e kafshëve. Ato kanë krijuar një tablo të jetës së egër, ku vihet re shtimi i banorëve të pyllit.
Top Channel