Edhe pse ka shumë persona të apasionuar, tenisi nuk është një sport shumë i përhapur në Shqipëri.
Për këtë arsye po organizohen herë pas here aktivitete, siç ishte ai i organizuar nga Tirana Tennis Academy në ambientet e saj pranë e Shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, që ishte në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. Ishte një turne që nuk ishte i përfshirë në kalendarin zyrtar të aktiviteteve tenistike në vend, por që gjithsesi shërbeu.
Organizatorët bënë të ditur se ky turne u shoqërua edhe me një risi, ajo e zhvillimit të turneut të lojës dyshe të përzier, ku djem dhe vajza krijuan çifte mes tyre për një përballje të vërtetë sportive. Por ndeshjet më të rëndësishme të këtij turneu ishin ato në lojën individuale në kategorinë e meshkujve ku në fund u dhanë trofe dhe certifikata për finalistin dhe fituesin e këtij turneu, Oden Smajli dhe Tedi Beni.
Tirana Tennis Academy do të vazhdojë me organizimin e turneve tenistikë dhe aktiviteti i radhës është ai që do të mbahet muajin e ardhshëm në 8-14 mars sërish në ambientet e saj pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”.
Top Channel