Pas deklaratës se ministrit të Jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias që paralajmëroi Ankaranë se herën tjetër, nëse do të ketë incident të ngjashëm në Egje, nuk do të ketë më nga pala greke një sjellje paqësore, ka reaguar me një ton të tensionuar edhe Ministria e Jashtme e Turqisë.
Zëdhënësi i saj Hami Akshoi ka akuzuar kryediplomatin grek se ka jetësuar një pozicionim jo paqësor, të papërgjegjshëm, që tejkalon caqet, ndërsa i bën thirrje atij të respektojë dëshirat dhe vendimet e dy kryeministrave të të dy vendeve.
Zëdhënësi turk i kujton z.Kotzias bisedën telefonike mes dy kryeministrave, duke theksuar se Ankaraja pret nga Athina të ulë tensionet, ndërsa vetë Tsipras dhe Gildirim kanë rënë dakord që çdo gjë të zgjidhet me mënyrë diplomatikë. Përgjigja e MPJ turke erdhi vetëm disa orë pasi janë publikuar dy video të cilat tregojnë se si anija turke “UMUT” ka goditur pranë ishujve shkëmbore Imja anijen greke “Gavdhos 090”, në incidentin më të nxehtë të 22 viteve të fundit midis dy vendeve, ne lidhje me ishujt e Egjeut.
Duke i kthyer përgjigje Ankarasë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke Aleksandros Gjenimatas, në një deklarate për shtyp në mesditën e së shtunës ka theksuar se Turqia po shkel të Drejtën Ndërkombëtare në mënyrë sistematike, vazhdimisht tejkalon vijat e kuqe dhe kur i bëhet thirrje të respektojë ligjet, ajo ankohet dhe reagon sikur të mos jetë në kontakt me realitetin që po krijon.
“Greqia si një vend i përgjegjshëm dhe paqësor, elemente që përbëjnë fuqinë e saj, këmbëngul në dialogun dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, në përputhje me qytetërimin modern evropian”, ka thënë ai.
Top Channel