Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka uruar Kosovën për 10-vjetorin e Pavarësisë, duke u shprehur se dy vendet kanë ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë vllazërore dhe partneritet strategjik.

“Festa e Kosovës është festë e mbarë kombit shqiptar. Në këto 10 vite pavarësi, Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë e vëllazërore partneriteti strategjik. Projektet tona konkrete për heqjen e barrierave ekonomiko-tregtare, krijimin e lehtësirave të qarkullimit të kapitalit, mallrave dhe njerëzve, si dhe promovimin e përbashkët të gjuhës dhe kulturës shqiptare në botë, janë udhëzues për dhjetëvjeçarët e ardhshëm, pjesë e projektit të përbashkët evropian”, shprehet Bushati në mesazin e tij.

Ai thotë se “vlerësojmë po ashtu, mbeshtetjen e çmuar e të vazhduar të miqve e aleatëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe të gjitha vendeve që kontribuan në mbylljen e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë bashkëkohore evropiane”.

“Për momentin, Kosova, ashtu si i gjithë rajoni është përfshirë në një dinamike të re reformash të thella në drejtim të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, avancimit të reformave në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, si dhe të zhvillimit ekonomik. Përgëzojmë Kosovën për përpjekjet e saj në drejtim të përafrimit e paqtimit të shoqërive e komuniteteve në rajonin tonë, në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje në paqe e në siguri për qytetarët tanë”, thotë ndër të tjera Bushati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA