Qeveria premton t’i subvencionojë blegtorët me disa mënyra. Zëvendësministri i Bujqësisë Ilir Halilaj shpjegon skemën.
“Sistemet ftohëse të qumështit, janë parashikuar 1 milion lekë për njësi. Tek enët e transportit të qumështit janë parashikuar 2700 lekë për secilën enë. Ka 10 lekë për litër çdo fermer që dorëzon qumësht me ngarkesë mikrobike më të vogël se 100 mijë. Do mbështetet çdo fermer, në lindje të kafshëve të tij, 5 mijë lekë për çdo të imët dhe 2 mijë lekë të reja për çdo gjedh”, tha zv. ministri Halilaj.
Por sa e kuptojnë këtë skemë fermerët. Agim Brahja, prej 20 vitesh mban një fermë blegtorale.
Ai e ka dëgjuar se mund të marrë mbështetje, por s’ka informacionin e duhur.
“Na kanë thënë që përfitoni nga kjo skemë. Për afatet nuk na kanë thënë gjë por duke u nis nga kjo e kaluara, skema e subvencionimit mbyllej në muajin Prill”, thotë Agimi.
Agimi jeton në Baldushk të Tiranës me familjen e tij dhe thotë se ekonomia e familjes së tij është e varur nga prodhimi i lopëve që ka sot.
Ai thotë se e nisi në fillim të viteve ‘90 me një lopë, dhe sot, pas shume sakrificave ka 10 të tilla.
“Kam qysh kur ka filluar demokracia që merrem kryesisht me blegtori. Kjo ka ardh nga një lopë sefte, duke i shtuar me sakrificat e mia dhe të familjes. Duhet t’i krijosh bazën ushqimore. Si i thonë një fjale popullore, lopa milet nga goja. Unë siguroj bazë ushqimore me këtë sasi toke për 6 muaj. Pjesën tjetër jam i detyruar ta blej në tregun e lirë. E vështirë është që t’i trajtosh, sepse do përqendrim dhe t’i rrish gjithë ditën t’i bësh shërbim. Unë jam 6 persona në familje dhe pasuria ime kjo është, lopa”, rrëfen Agimi.
Agimi di të bëjë mirë punën e tij, por jo dokumentet që kërkohen nga burokracia për të dhënë ndihmën financiare. Por skema e re parashikon heqjen e burokracive.
“Zero dokumenta”, thotë ai.
Top Channel