Universiteti i Durrësit nuk regjistron invalidin në fakultet! Fiks Fare vë në lëvizje institucionin

16/02/2018 20:40

Emisioni Fiks Fare pasi ka vënë në lëvizje Universitetin e Durrësit, i dha mundësinë të riut Besart Neza nga Sukthi të regjistrohet në fakultet.

Universiteti i Durrësit i ka mohuar të drejtën e studimit Besart Nezës, i cili vuan nga hemofilia e tipit B. Besarti ka statusin e invalidit të plotë dhe si i tillë përfiton nga kuotat e veçanta në bazë të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit “.

Megjithatë Besarti i ishte nënshtruar edhe konkurrimit, ai madje kishte dalë fitues në raundin e parë, por nuk ishte njoftuar për raundin e dytë. “Kam aplikuar në raundin e parë të konkurrimit dhe jam përzgjedhur fitues.

Në datën 23.10.2016 Ministria e Arsimit ka nxjerrë një urdhër të shtimit të kuotave, unë u interesova por Universiteti i Durrësit nuk më ktheu përgjigje . E bëra vetë kërkesën për shtim kuotash, Ministria e Arsimit e aprovoi, por Universiteti nuk më regjistroi.

I jam drejtuar Fiks Fare pasi e shoh që është e pamundur të gjej zgjidhje ” u shpreh Besart Neza. Mospjesëmarrja në raundin e dytë të konkurimit ka qenë edhe arsyeja që Universiteti i Durrësit, nuk e ka regjistruar Besartin. Madje ky institucion e ka orientuar të riun që t’i drejtohet vetë personalisht Ministrisë së Arsimit që kjo e fundit të shtojë kuota. Fiks Fare vuri në lëvizje Universitetin e Durrësit që ky institucion t’i jepte zgjidhje problemit të të riut, pasi korrespondenca me Ministrinë e Arsimit duhet të bëhej nga Universiteti i Durrësit dhe jo nga Besarti.

“Universiteti ka pasur dashamirësinë për ta ndihmuar, por Besarti nuk ka aplikuar si një person që përfiton kuotë të veçantë. Edhe pse ka dalë mirë në raundin e parë ai në fazën e dytë nuk ishte në sistem. E kemi instruktuar që të ndikonte në Ministrinë e Arsimit për të futur emrin e tij në sistem. Megjithatë ne kemi korrespondencat tona, na erdhi shkresa dhe Besarti do të regjistrohet”, u shpreh Osman Metalla, Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale.

Menjëherë pas kësaj deklarate u bë edhe regjistrimi i të riut. “Falenderoj emisionin Fiks Fare që bëri të mundur regjistrimin tim në Universitetin e Durrësit , falë jush tani unë do të nis studimet”, u shpreh Besart Neza.

Top Channel