Strazimiri: Të shkarkohet anëtari i KLGJ-së Erjon Muharremaj

16/02/2018 14:00

Në një dalje për mediat nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gent Strazimiri kërkon shkarkimin për përfshirje në politikë të një anëtari të KLGJ-së.

Sipas tij, bëhet fjalë për zv.dekanin e fakultetit të Drejtësisë, Erjon Muharremaj.

“Në website-in e Fakultetit të Drejtësisë, për të cilin është përgjegjës Dekani i Fakultetit, është publikuar një thirrje për pedagogët dhe studentët që të shkruajnë në revistën POLITIKE të Fondacionit POLITIK “Qemal Stafa”, të partisë POLITIKE “Partia Socialiste”. Kjo organizatë e Partisë Socialiste në Fakultetin e Drejtësisë, ështe gjithashtu zyrtarisht, edhe bërthama e “ekspertizës” për të gjitha paudhësitë që “Partia” ka draftuar e miratuar për të bërë të mundur rikthimin edhe “de jure” të “drejtësisë socialiste”. Zëvendës dekani Erjon Muharremaj, i cili ka shpërndarë me email këtë ofertë të ‘partisë”, është edhe nje individët që supozohet të përzgjedhë “punonjësit e drejtësisë së re”, asaj “të paanshmes”, “të drejtës”, “të papërlyerës” me politikë. Muharremaj, është i fundmi i një liste të përzgjedhur mes individësh që nuk plotësojnë kriteret bazë të vendosura nga ONM, në të cilën është klasifikuar i nivelit mesatar, pra “mediokër”. Partia Demokratike do t’i kërkojë Parlamentit edhe zyrtarisht shkarkimin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor Erjon Muharremaj për përfshirje në aktivitet POLITIK për llogari të partisë së Edi Ramës, ashtu sikurse bën thirrje për shkarkimin edhe të shefit të tij, Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha”, deklaroi Strazimiri.

Top Channel