Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ndodhet në Sofje, ku mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së. Duke folur për mediat shefi i diplomacisë shqiptare tha se do të dëshironte që Strategjia e Zgjerimit të KE të ishte më e detajuar mbi hapat që duhet të ndërmerren nga vendet kandidate.
“Sigurisht, e mirëpresim publikimin e Strategjisë. Sigurisht do të dëshironim të ishte më shumë e detajuar mbi hapat që duhet të merren nga vendet kandidate, masat dhe instrumentet financiare e politike që mund të ofrohen nga BE. Gjithsesi, dëshiroj të rikonfirmoj që ky është një hap i mirë, në drejtimin e duhur, sidomos pas viteve të vështira që procesi i zgjerimit ka kaluar. Ne dëshirojmë të punojmë me Komisionin dhe vendet anëtare në materializimin e 6 nismave madhore që potencialisht do na afronin më shumë pranë BE-së”, tha Bushati.
E pyetur nga gazetarët për një proces integrimi jo shumë të shpejtë, Bushati tha se më të rëndësishme se datat janë përqendrimi tek ajo që na pret.
“Mendoj më mirë të përqendrohemi në çfarë na pret në horizont se sa në data, si edhe në cilësinë e procesit të reformave. Sundimi i së drejtës vjen i pari, por siç e dimë shumë mirë, nuk ka sundim të së drejtës pa zhvillim ekonomik dhe nuk ka zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa sundim të së drejtës. Prandaj është e rëndësishme si për BE ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor të vendosin një barazpeshë midis këtyre dy komponentëve të strategjisë”, tha më tej ministri i jashtëm shqiptar.
Në këtë takim ishin të ftuar edhe Ministrat e Jashtëm të vendeve kandidate. Diskutimet u përqendruan në sfidat e përbashkëta të sigurisë në Evropë, dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Ministri Bushati vuri në dukje masat dhe arritjet e Shqipërisë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe nënvizoi mbështetjen e vazhduar dhe linjëzimin e plotë të Shqipërisë me politikën e BE-së, për adresimin e sfidave të sigurisë.
Ministri ritheksoi nevojën për një prani të shtuar të BE-së në Ballkanin Perëndimor, në kuadrin e një partneriteti të përforcuar në përballjen me sfidat e përbashkëta.
Top Channel