I riu i akuzuar për masakrën në shkollën e mesme të Floridës të mërkurën, e ka rrëfyer krimin e tij.
Nicolas Cruz, 19-vjeçar, pohoi se ai ka shtënë mbi nxënësit dhe mësuesit e gjimnazit, nga ku e kishin përjashtuar për sjellje të dhunshme.
Ai ka dalë përpara gjykatës me 17 aktakuza për vrasje të paramenduar, e aty rrëfeu se përpos armës gjysmëautomatike “AR-15”, në çantën e shpinës kishte edhe municione shtesë.
I riu ishte nisur të bënte sa më shumë viktima dhe ka tentuar të shpëtonte duke u hequr si një prej adoleshentëve të tmerruar që kërkonin ndihmë.
Ngjarja shokuese e shtyu presidentin Donald Trump të deklaronte se administrata e tij do të punojë për të përmirësuar sigurinë në shkolla dhe për të trajtuar sëmundjet mendore.
Demokratët nxituan të theksojnë edhe një herë se episodi tronditës nënvizon sërish nevojën për ligje më të ashpra për armët, por Trump nuk e përmendi këtë çështje në fjalimin e tij të shkurtër, ku theksoi sidoqoftë se sigurinë në shkolla do ta kthejë në prioritet.
Prokurorja e Përgjithshme e Floridës njoftoi se shteti do të paguajë për ceremonitë e varrimit të viktimave dhe për mbështetje psikologjike për familjet.
Por, ashtu siç ka agresorë që në palogjikshmërinë e tyre këpusin në mes jetët e pafajshme, ashtu ka në ngjarje të tilla edhe heronj, si trajneri i ekipit të futbollit të shkollës, Aaron Feis, i cili përdori trupin e tij për të mbrojtur nxënësit nga tërbimi i 19-vjeçarit.
Viktimat tani kanë fytyra dhe emra. I vëllai i saj u kthye në shtëpi shëndoshë e mirë, por Jaime Guttenberg nuk i shpëtoi dot vdekjes. Lojtarja e futbollit, Alyssa Alhadeff nuk arriti ta përmbushë ëndrrën e saj, ashtu si dhe notari i talentuar, Nick Dworet.
Çmendurisë së një njeriu problematik nuk i shpëtoi dot as 14-vjeçarja Gina Montalto, e cila si për ironi kishte dalë vullnetare për nismën e miqësisë.
Top Channel