Samiti i Sofies, thirrja për vendet e Ballkanit Perëndimor, Hahn: Zbatoni reformat

16/02/2018 19:30

Në Samitin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian i’u kërkua vendeve të Ballkanit Perëndimor të vënë në praktikë reformat e vështira përpara se t’i bashkohen Bashkimit Europian.

“Të gjithë e pranojnë se ka kushte që duhen plotësuar, se cilësia vjen para shpejtësisë,” është shprehur Komisioneri i BE për Zgjerim Johannes Hahn.

Komenti vjen në kohën kur në një strategji të Bashkimit Europian është përcaktuar si afat 2025 dhe mundësia që Serbia dhe Mali i Zi t’i afrohen më shpejt Unionit. Por me kushtin e zgjidhjes së problemeve veçanërisht mes vendeve, shumë anëtarë të Bashkimit Europian hezitojnë para një rajoni ku ende janë të gjalla plagët e luftërave në linja etnike në vitet ’90 dhe të shënjuar nga reputacioni aspak i mirë në fushën e respektimit të ligjit.

Ata thonë se kandidatët, që përfshijnë edhe Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnjën, duhet të përmirësojnë kredencialet e tyre demokratike dhe të çrrënjosin korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Shqipëria është një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilës i është kërkuar shpejtimi i reformave, lufta kundër krimit korrupsionit dhe drogës. Në samit ishte edhe Ministri i Jashtëm shqiptar.

“Ne dëshirojmë të punojmë me Komisionin dhe vendet anëtare në materializimin e 6 nismave madhore që potencialisht do na afronin më shumë pranë BE-së,” tha Bushati.

I pyetur nëse është 2025 mjaftueshëm për të materializuar 6 nismat madhore, ministri Bushati tha se nuk do donte të ndalej në data por në rëndësinë e procesit të reformave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA