Lojërat Olimpike Dimërore të Pyeongchangut dhuruan të tjera medalje për sportistët. Në garën e zbritjes së lirë në skitë alpine, triumfi ishte i norvegjezit Svindal, me 1 minutë, 40 sekonda e 25 të qindtat. Medaljen e agjendtë e fitoi një tjetër skiator norvegjez, Jansrud, ndërsa atë të bronztë e mori zvicerani Feuz.
Në garën e “Cross Country” në ski për femra u dhanë 4 medalje dhe jo 3, pasi dy sportiste e mbyllën garën me të njëjtën kohë. Bëhet fjalë për norvegjezen Bjoergen dhe finlandezen Permakoski, që u renditën të tretat, duke marrë të dyja medaljen e bronztë. Për sa i përket medaljes së artë, ajo u fitua nga Haga e Norvegjisë, që la pas suedezen Charlotte Kalla në vendin e dytë.
Në patinazhin artististik për çifte, fitorja ishte për gjermanët Aljina Savchenko e Bruno Massot, që në përfundim të programit të gjatë dhe atij të shkurtër grumbulluan 235.9 pikë. Në vendin e dytë u renditën kinezët Sui Wenjing e Hang Kond, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi çifti kanadez Megan Duhamel-Reic Radford.
Në garën e 10 mijë metrave të patinazhit të shpejtësisë për meshkuj, medalja e artë i shkoi kanadezit Bloemen, me 12 minuta, 37 sekonda e 77 të qindtat. Në vendin e dytë, me medaljen e argjendtë, u rendit holandezi Bergsma, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi italiani Tumolero.
Në tabelën e medaljeve, Gjermania është ende e para, me 9 medalje ari, dy argjendi e 4 bronzi. E dyta është Norvegjia, me 6 medalje ari, 8 argjendi e 5 bronzi; ndërsa në vendin e tretë është Holanda, me 5 medalje ari, 5 argjendi e dy bronzi.
Top Channel