Byroja Federale e Hetimeve pranoi se kishte dështuar në adresimin e paralajmërimeve lidhur me vrasësin e Floridas, Nikolas Cruz.
Në një deklaratë të rrallë, FBI njofton se një person i afërt me 19-vjeçarin që vrau 17 persona e plagosi shumë të tjerë në ish-shkollën e tij në Parkland, kishte kontaktuar byronë në 5 janar për të raportuar shqetësimet lidhur me të.
“Informacionet nuk ju kaluan policisë së Miamit dhe nuk u zhvillua asnjë hetim. Protokollet nuk u ndoqën”, thuhej në deklaratë.
“Nëse zyra e Miamit do të merrte ankesën, do të kishte pasur veprim”, vijon më tej Byroja Federale e Hetimeve.
Pranimi befasues i fajit ngre një sërë pikëpyetjesh nëse tragjedia në shkollën e mesme Marjory Stoneman Douglas mund të ishte parandaluar.
Siç mësohet, personi që kontaktoi FBI-në në 5 janar e kishte informuar atë mbi dëshirën e Cruzit për të vrarë njerëz, sjelljen e tij të çuditshme, postimet shqetësuese në rrjetet sociale dhe faktin se zotëronte një arme. Drejtori i FBI-së Christopher Wray deklaroi se FBI po vazhdon hetimet lidhur me çështjen.
19-vjeçari pranoi autorësinë e sulmit përpara gjykatës dhe është paditur me 17 akuza për vrasje. Ai rrëfeu se përveç armës gjysmë automatike AR-15, në çantën e shpinës kishte edhe municione shtesë.
Top Channel