2 mld euro kosto nga vendimet, Gjonaj: Nuk kemi vlerësim nga Gjykata Europiane

16/02/2018 12:03

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ishte këtë të premte në një seancë dëgjimore në komisionin për Integrimin Europian, ku u pyet nga deputetët për zbatimin dhe ecurinë e prioriteteve 2-3-5 të Komisionit Europian.

E pyetur për koston 2 miliardë dollarëshe nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut ndaj shtetit shqiptar, ministrja Gjonaj tha se kosto ekziston për sa kohë vendi ynë është pjesë e Gjykatës Europiane.

“Nuk kemi vlerësim nga Gjykata Europiane”, iu përgjigj pyetjes së deputetit Vangjel Dule ministrja.

Më herët, ka qenë kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili që ka folur për koston e shtetit.

Ndërsa për rrezikun e kandidaturave të sigurimit të shtetit, ministrja tha se është proces që bëhet nga Kuvendi. “Nuk mund t’i futet meritës se si është bërë përzgjedhja e anëtarëve të KLP dhe KLGJ. Procesi bëhet nga Kuvendi”, tha Gjonaj.

Ndërsa për numrin e vendimeve të trajtuara nga Agjencia e Pronave në këto pesë vite, ministrja tha se ligji aktualisht është pezulluar dhe agjencia nuk ka marrë vendime. Por deri tani janë dhënë 26 mijë vendime për kompensim, 10 mijë prej të cilave në pesë vitet e fundit.

Top Channel