Siri, vriten edhe 15 mercenarë rusë…aksidentalisht

15/02/2018 12:56

Plot 15 rusë të punësuar në Siri nga një kompani private sigurie u vranë pas një shpërthimi në një depo armësh brenda bazës së tyre në këtë vend.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup monitorues me bazë në Londër, tha se incidenti ndodhi në impiantin e kompanisë në Tabiya Jazira, në provincën verilindore Deir Ezzor.

Sipas aktivistëve të terren, kompania në fjalë është përgjegjëse për mbrojtjen e fushave të naftës dhe gazit që kontrollohen nga regjimi sirian.

Raporti i Observatorit sirian thotë se vrasja e rusëve duket aksidentale, pasi mësohet se ushtarë të regjimit sirian kishin tentuar të hynin në depon e armëve për të marrë municione, por aktivizuan kurthet shpërthyese dhe ndërtesa u hodh në erë.

Në total u vranë 23 persona, 15 prej të cilëve rusë. Observatori raporton se mercenarët rusë shoqëronin forcat e regjimit, që përparojnë drejt fushave të naftës dhe gazit në lindje të lumit Eufrat, që kontrollohen nga milicitë kurde dhe arabe “SDF”.

Raporti për vrasjen e mercenarëve rusë vjen një javë pasi të tjerë prej tyre humbën jetën, si pasojë e bombardimeve amerikane në formë raprezaljeje për sulmet ndaj kurdëve. Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin vrarë mbi 100 luftërarë të regjimit, por sipas aktivistëve dhjetëra prej tyre ishin mercenarë rusë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA