Një ditë pasi foli para pedagogëve të Universitetit të Tiranës për prerje kokash, Edi Rama sqaroi se nuk ishte ai që i kërkonte ato në tepsi. Përballjen me Kryeministrin e mori përsipër Sali Berisha.
Edi Rama: Prerjen e kokave e kërkon dekanati, dekanët. Janë katër dekanë me në krye Dhori Kulen duke kërkuar shkarkimin e Rektorit të Universitetit.
Sali Berisha: Një sulm frontal kundër elitës së kombit. Është një replikë e kohërave më të zeza të këtij vendi, beteja me arsimin e vendit.
Edi Rama: Unë dëgjova, as më shumë e as më pak, por zotërinë e tij, Dhori Kule, anëtar aktiv i PD, që të thoshte shumë më tepër se ç’thashë unë.
Sali Berisha: Shkoi dje dhe foli me gjuhën e Shullazit. Janë tenderat që duhet të bëjë universiteti dhe tani me Mynyr Konin nuk bëjnë dot pazaret.
Godina e Teatrit Kombëtar ishte një tjetër temë që përplasi Ramën me opozitën. Kryeministri tha se kishte hequr dorë nga projekti i tij i hershëm i teatrit nën një kullë.
Edi Rama: Jeni njësoj si ata aktorët që zihen për muret, ndërkohë që fatkeqësia e tyre është që nuk ka role.
Edmond Spaho: Keni dashur qëkur ishit ministër Kulture të ndërtonit një teatër me kullë dhe ndoshta tek kullat të varnit ato që janë thënë. Vetëm Kryeministri i asaj kohe, që sot e ke ministër në qeveri dha urdhër që projekti juaj nuk do të zbatohej.
Edi Rama: Ashtu ishte Shqipëria në atë kohë dhe ashtu mund të bëhej, por sot jo! Sot jemi në një tjetër situatë dhe tjetër mundësi.
Sali Berisha: Qëndrimi yt ndaj Teatrit Kombëtar është bingoja që fute aty kur ishe ministër.
Edi Rama: Ne teatrin e ri do ta ndërtojmë. Nuk do të jetë as nën kullë dhe as mbi kullë.
Top Channel