Padia e Shkëlzen Berishës ndaj Ballës, asnjë gjykatë nuk e merr përsipër

15/02/2018 16:12

Padia e Shkëlzen Berishës kundër deputetit Taulant Balla do të vijojë të zvarritet nëpër shkallët e gjyqësorit derisa dhënësit e drejtësisë të sqarohen se kujt i përket gjykimi i kësaj çështjeje. Pas ndryshimeve të reformës në drejtësi që i heq juridiksionit fillestar Gjykatës së Lartë, në dhjetor çështja kundër Taulant Ballës që akuzohet nga djali i ish-kryeministrit se ka shpifur u përcoll tek Krimet e Rënda.

Për këtë arsye Shkëlzen Berisha, dhe ish-kryetari i Komisionit Hetimor Taulant Balla u ulën përballë njëri-tjetrit tek Krimet e Rënda që në fakt pas ndryshimeve ligjore duhet të ishin shkrire për t’u zëvendësuar nga Gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të Organizuar. Por edhe gjykata e Krimeve të Rënda që ishte në të njëjtin mendim me prokurorin Henrik Ligori i kërkoi këtë të enjte Gjykatës së Lartë që të shprehet me vendim se kujt i përket gjykimi i dosjes Shkëlzen Berisha-Taulant Balla.

Djali i ish-kryeministrit e lexoi këtë vendim si frikë të gjyqësorit.

“Gjykata e Lartë është institucioni më i lartë i këtij vendi kur vjen puna në çështjet e drejtësisë dhe vetëm një kryeprokuror një përfaqësues i kryeprokurorit ose një gjykatës që ka frikë mund ta kthejë ose ta marrë këtë si argument dhe ta ktheje prapë çështjen në Gjykatën e Lartë”, u shpreh Shkëlzen Berisha.

Taulant Balla ndodhet nën akuzë për shkak të deklaratave në Komisionin Hetimor të CEZ ku tha se Shkëlzen Berisha nuk kishte paguar taksat, një version të cilin deputeti vijon ta pohojë.

Taulant Balla: Paska punuar me punë të ndershme, një njeri që nuk i ka thënë një herë mirëmëngjesi punës.

Shkëlzen Berisha: Unë kam paguar në dy vite mbi 50 mln lekë taksa.

Pavarësisht se dita kur do nisë gjykimi ngjan ende larg, të dyja palët kanë pritshmëritë e tyre të ndryshme nga drejtësia.

Shkëlzen Berisha: Kryesisht pres dënimin e shpifësit.

Taulant Balla: Nëse kjo çështje do hetohet deri në fund, unë i garantoj qytetarët shqiptarë se peshqit e mëdhenj në atë rrjetë do të jenë shumë.

Top Channel