Mësuesit ishin paralajmëruar me kohë mbi rrezikun e adoleshentit që dyshohet si autor i vrasjeve masive në ish-shkollën e tij në Florida.
Kështu shprehen mediet amerikane për Nikolas Cruz, i cili akuzuar zyrtarisht me 17 akuza për vrasje me paramendim, pas të shtënave më vdekjeprurëse në një shkollë amerikane që prej vitit 2012.
Një mësues tha se Cruz nuk ishte lejuar më herët në kampin shkollor me një çantë shpine. 17 persona humbën jetën në sulmin e kryer një ditë më parë, ndërsa shumë të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.
Cruz, 19 vjeç, duket se është larguar nga vendngjarja duke u ngatërruar mes studentëve që përpiqeshin t’i largoheshin ngjarjes tragjike, por u arrestua vetëm pak kilometra larg, e tashmë është në paraburgim.
Por cila është përmbajtja e paralajmërimit? Mësuesi i matematikës, Jim Gard i ka thënë “Miami Herald” se autoritetet e asaj shkolle u kishin dërguar “e-mail”-e mësuesve mbi sjelljen e çuditshme të Cruzit.
“Jemi njoftuar vitin e kaluar se ai nuk ishte lejuar në kampus me një çantë shpine me vete”, tha Gard. “Kemi pasur probleme me të vjet, pasi kishte kërcënuar studentët dhe besoj se i është kërkuar që të largohej nga kampusi”.
Zyrtarët e shkollës ende nuk e kanë bërë publik faktin se përse Cruz ishte përjashtuar nga shkolla, por një adoleshente 17-vjeçare i ka thënë “Associated Press” se, vendimi kishte ardhur pas një sherri që kishte pasur me të dashurin e ri të ish-të dashurës së tij. Madje, kjo nxënëse pretendon se ai ka qenë edhe abuzim kundrejt ish-të dashurës së tij.
Ndërkohë, një tjetër shok klase me të, Joshua Charo tha se Cruz ishte gjetur me plumba në çantën e shpinës.
“Nuk mund të them se isha i shokuar. Ai dukej që në fytyrë se ishte tipi adapt për të bërë diçka të tillë”, thotë Charo. Edhe studentë të tjerë ishin të të njëjtit mendim kur u morën në pyetje nga autoritetet. “Të gjithë e kishin parashikuar këtë gjë që ndodhi”, tha një tjetër adoleshent.
Cruz, gjithsesi, ndryshe nga sa ka ndodhur në të tilla raste të së kaluarës, nuk e kishte paralajmëruar policinë për atë që pritej të ndodhte.
“Nuk kemi marrë asnjë paralajmërim. Sigurisht që mund të ketë pasur shenja të qarta të këtij rreziku, por nuk kemi marrë asnjë njoftim, apo telefonatë, se nxënësit ndiheshin të kërcënuar”, tha kryeinspektori i zonës, Robert Runcie.
Sipas disa raportimeve, Cruz i ka thënë familjes së tij se do të qëndronte në shtëpi e nuk do të shkonte në kolegj, sepse ishte dita e Shën Valentinit.
Top Channel