Krimi, sipas Arta Markut: Në Shqipëri, droga, korrupsioni, pastrimi i parave

15/02/2018 13:27

Vizita e radhës e Prokurores së Përgjithshme Arta Marku ishte në Prokurorinë e kryeqytetit, një nga prokuroritë më të mëdha ne vend e cila ka fluksin me te madh të çështjeve hetimore. Edhe në këtë Prokurori Arta Marku kërkoi hetim të korrupsionit në të gjitha nivelet dhe luftë ndaj grupeve kriminale të cilat ndodhen në Tiranë dhe sipas saj financojnë kultivimin, por edhe shpërndarjen e drograve në kryeqytet.

Po cila është fytyra e krimit sipas Prokurores së Përgjithshme Arta Marku pas 10 ditëve analiza në vend?! Droga, korrupsioni, pastrimi i parave dhe kontrabanda janë tiparet e përbashkëta të kriminalitetit në të tetë prokuroritë ku numri 1 i akuzës mori pjesë në takimet vjetore.

Gjatë dy muajve në detyrë si Prokurore e përkohshme turi i vizitave të Arta Markut nisi në Shkodër, aty ku ajo shërbeu për gati 15 vjet. Në këtë qytet Prokurorja e Përgjithshme pa si problematikë kontrabandën dhe drogën si edhe dosjet e vjetra të pazbardhura. Më tej Elbasani u cilësua nga kryeprokurorja si pika e nxehtë e grupeve kriminale të sofistikuar, pavarësisht se nuk u lakua asnjë nga përplasjet e armatosura të grupeve që kanë tronditur vendin vitet e fundit.

Marku tha se në këtë qytet grupet kriminale janë të moderuara dhe janë prezente në jetën publike ku edhe investojnë në tregun privat dhe në punët publike.

Qyteti i Vlorës ishte sipas Arta Markut vendi që sjell shqetësim me kultivimin e hashashit dhe të falsifikimeve të dokumenteve për pronat në bregdet. Por për Arta Markun nuk janë shqetësim ngjarjet me lëndë plasëse në qytetin bregdetar. Ky qytet numëron për tre vitet e fundit 42 shpërthime me lëndë plasëse kryesisht në automjete dhe në biznese private.

Durrësi konsiderohet si qyteti i kontrabandës dhe i pastrimit të parave, por sipas kryeprokurores ka shumë pak vepra të hetuara kundër këtij krimi.

Pikërisht në këtë qytet Prokurorja e Përgjithshme i ra kambanës se alarmit për pafajësitë që jepen në Gjykatë, ndërsa për herë të parë kërkoi që në dosjet e korrupsionit të hetohen edhe pronat e njerëzve të korruptuar. Fieri u përshkrua prej zonjës Arta Marku si qyteti i kompanive të mëdha të naftës e gazit, e për këtë duhet krimi i shmangies nga taksat duhet të jetë fokusi i hetimeve.

Duke përmendur evazionin fiskal në Fier, Arta Marku kërkoi me këtë rast edhe hetimin e tatimoreve. Në Korçë, Arta Marku kujtoi se për vitin 2017 organet tatimore dhe doganore referuan vetëm një kallëzim e për këtë në këtë qytet duhet hetuar kontrabanda, pa harruar edhe krimin e shpërndarjes se drogës dhe të kultivimit të hashashit.

Me këtë panoramë realiste të kriminalitetit, merr kuptim marrëveshja mes Arta Markut dhe Fatmir Xhafës për të luftuar krimin e organizuar në vend. Vetëm se strukturat e posaçme shikohen si një dublim i Prokurorisë së Posaçme SPAK që pritet të ngrihet në kuadër të reformës në drejtësi.

Kjo ka shkaktuar edhe debat politik, sepse opozita ka akuzuar për ngritjen e një SPAK-u privat të kryeministrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA