Gala austriake. Në Pallatin e Kongreseve, Vjena përshëndet Tiranën

15/02/2018 09:24

Pasi Tirana përshëndeti Vjenën në mesin e nëntorit të vitit që lamë pas, tashmë është radha e kryeqytetit austriak që të kthejë vizitën në Shqipëri, me një mbrëmje gala.

Johan Sattler, ambasadori i Republikës së Austrisë në Shqipëri, u shpreh: “Austria dhe Shqipëria janë dy vende mike. Në Austri kemi rreth 50 000 shqiptarë që jetojnë, studiojnë e punojnë dhe ka shumë shqiptarë që janë shumë të suksesshëm në skenat austriake”.

Muzika vjeneze dhe ajo shqiptare do të shkrihen në një në materialet e Moxartit, Shtrausit dhe Brahmsit, të cilat do të vijnë nën interpretimin e Inva Mulës, Vikena Kamenicës, Genc Tukiçit dhe shumë artistëve të tjerë, ndërsa për herë të parë do të prekë skenën skenën shqiptare Ramon Vargasi.

“Është një koncert shumë shpirtëror, ashtu siç është edhe vetë kjo kulturë e pasur. Reflektimi i kulturës austriake duhet të ketë këtë impakt në Shqipëri”, deklaroi sopranoja Inva Mula.

Ndërsa violinisti Benjamin Ziervogel theksoi: “Është një aktivitet shumë i veçantë sepse është e çuditshme se si funksionojnë kaq mirë dy kultura jo vetëm në skenë, por edhe nga ana muzikore. I referohem bashkëpunimit me Genc Tukiçin. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij koncerti, i cili kur u mbajt në Vjenë, pati një sukses të madh”.

Koncerti “Vienna salutes Tirana” do të mbahet mbrëmjen e 15 shkurtit në Pallatin e Kongreseve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA