Kryebashkiaku i Tiranës, konfirmoi se projekti për teatrin e ri kombëtar që do të ndërtohet, nuk do të ketë kullë, ashtu siç ka shprehur shqetësimin komuniteti i artistëve.

“Unë kam një lajm të mirë sot. Ne tashmë e kemi marrë një vendim, nuk është sekret. Tirana do të ketë një Teatër Kombëtar modern, pa kullë sipër, në vendin ku është teatri sot do të jetë ndër më të mirët në Europë dhe jemi të vendosur qe në kohë rekord ne ta zhvillojmë këtë projekt. Ju premtoj sot publikisht që në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, me Kryeministrin, me ministren e Kulturës dhe të gjithë dashamirësit, ne do te kemi një Teatër Kombëtar të paprecedentë në të gjithë Europën”, u shpreh Veliaj.

Nga aktiviteti “Vjena përshëndet Tiranën”, Veliaj e krahasoi debatin e krijuar për teatrin, me atë të disa projekteve të tjera të mëdha që janë bërë në kryeqytet, por tha se me bashkëpunim projekti do të finalizohet.

“Por si çdo projekt, sidomos projektet e sofistikuara duan durim, duan bashkëpunim. Ajo qe do te shikoni sot ne skene duke filluar nga Inva Mula e gjithë të tjerët është produkti i njerëzve që i bëjnë gjërat me durim, që mundohen të bëjnë histori, jo histeri dhe nëse ne i bëjmë gjerat me durim dhe me mirëkuptim ashtu siç dukeshin të pamundur ndonjëherë sheshi “Skëndërbej” apo Pazari i Ri apo këndi i lodrave apo debate të tjera që ne kemi pasur thuajse duke u kacafytur me njëri-tjetrin, që sot kanë dalë produkte te mrekullueshme. Do të jemi krenare që fal mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mund të bëjmë gjera të mrekullueshme që veç e veç nuk i bëjmë dot”, u shpreh Veliaj.

Top Channel