Dy hajdutë banesash e lokalesh janë vënë në pranga nga policia e Durrësit në dy operacione të ndryshme, falë njoftimit të efektivëve nga qytetarët.
Në operacionin e koduar “Home” është vënë në pranga Amarildo Vezi, 27 vjeç nga Durrësi. Ka qenë një qytetar që e ka pikasur teksa po hynte nga ballkoni i një apartamenti në ndërtim që ka njoftuar sallën operative.
Por gjatë hetimeve për Vezin u dokumentua me prova shkencore se ai është autor edhe i katër vjedhjeve të tjera, kryesisht banesa dhe dyqane. 27-vjeçarit iu gjetën mjetet që përdorte për kryerjen e veprës penale si: kaçavita,doreza, pinca.
Ndërsa nga operacioni “Bar” u prangos Edmond Piraniqi, 39 vjeç, i cili është kapur në flagrancë duke vjedhur një lokal.
39-vjeçari ndërkohë rezulton autor edhe i pesë vjedhjeve të tjera, kryesisht lokale. Në cilësinë e provës materiale I’u gjet dhe sekuestrua një thikë, të cilën e mbante pa leje.
Top Channel