“Deti” me Greqinë, pas ish-presidentëve, Meta takon edhe Kodhelin

15/02/2018 19:50

Pas Bujar Nishanit, Bamir Topit, Alfred Moisiu, Rexhep Mejdani dhe Sali Berishës, Presidenti Ilir Meta është takuar edhe me kryetaren e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, për t’iu përgjigjur thirrjes së Kreut të Shtetit për konsultime mbi çështjen e kufirit detar me Greqinë.

Ashtu si edhe ish-presidentët, edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka shkuar në presidencë për konsultime pasi Ilir Metës iu kërkua zyrtarisht plotfuqishmëria të martën nga Ministria e Jashtme për negociatat me Greqinë, bazuar kjo në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi marrëveshjen e 2009-s, e ku ndër të tjera argumentohej vendimi edhe me mungesën e marrjes së kësaj “lejeje” nga kreu i shtetit.

Ministri Bushati ka qenë në qendër të kritikave për këtë fakt, duke i kërkuar që të merrte plotfuqishmërinë e Metës më herët. Por, Ministria e Jashtme thotë se negociatat e kryera deri më tani me palën greke kanë qenë mbi çështje parimore dhe nuk është punuar me hartën.

Ministria thotë se në momentin që nis puna me ndarjen e vijës kufitare në hartë, atëherë kërkohet plotfuqishmëria e Presidentit të Republikës.

Kjo do të thotë se bisedimet me palën greke kanë hyrë tashmë në këtë fazë dhe pritet vetëm leja e Presidentit për vazhdimin e tyre.

Nga ajo çfarë është bërë publike nga pala greke fillimisht dhe më pas nga ajo shqiptare, kriteret e dakordësuara janë ato të 12 miljeve dhe të vijës së mesit mes kufirit të të dy vendeve dhe se matja do të niste nga ishujt grekë të banuar në vitin 1913.

Top Channel