Aldo Ymeraj, 25-vjeçari i ndaluar pak ditë më parë në Tiranë i akuzuar për krime kibernetike nga Shtetet e Bashkuara, doli sot përpara togave të zeza në Gjykatën e Fierit.

I riu është gjykuar nga një trup gjykues që kryesohej nga gjyqtari Taulant Banushi, ndërsa prokurore e çështjes është Ervisa Hyka.

Jashtë dyerve të gjykatës ishin familjarë dhe të afërm të të riut. Jashtë kamerave ata shprehen të bindur se i afërmi i tyre do të ekstradohet.

“Prandaj duam ta takojmë për herë të fundit, se nuk i dihet e takojmë më apo jo”, thonë ata.

Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ndaj 25-vjeçarit është marrë masa “arrest me burg për efekt ekstradimi”.

Aldo Ymeraj, lindur dhe banues ne Fier u arrestua në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër krimit kibernetik. I riu dyshohet të jetë pjesë e rrjetit të quajtur “Infraud”, i cili shiste të dhëna të vjedhura kartash krediti në internet duke u shkaktuar konsumatorëve një humbje prej 530 milionë dollarësh.

Në jetën reale 25-vjeçari njihet si një i ri vetmitar dhe i mbyllur. Ai jetonte në Fier mes dy prindërve të ndarë dhe kush është afër tij e di lidhjen e forte me kompjuterin.

Në jetën virtuale ai quhet “Kubanezi”, pjesë e një rrjeti hakerash prej 10 mijë anëtarësh. Por si çdo hakerues në internet të dhënat e tij nuk ekzistojnë, ai nuk ka Facebook dhe as llogari tjetër me këtë emër.

E vetmja foto është ajo e disa viteve më parë përpara se ai të ishte 20 vjeç, në një faqe ku komentet më të shumta i merr nga Ukraina. Djali nga Fieri e nisi duke thyer fjalëkalime në Facebook për të përfunduar në një grup ndërkombëtar të krimeve kompjuterike që vidhte Bitcoin me vlera disa milionëshe, karta krediti dhe llogari bankare.

Pak ditë më parë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë bëri të ditur se kishte ngritur padi ndaj 36 personave, 3 prej të cilëve shtetas kosovarë. 13 vetë u arrestuan në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi.

Grupi ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34-vjeçar ukrainas dhe përdorte një forum në internet për të blerë dhe shitur karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA