Katër grupe task force janë ngritur nga Ujësjellës Kanalizime Durrës për aksionin e ujit, për të kryer kontrolle dhe verifikime tek të gjithë bizneset në zonën e saj.
Nëndrejtori i Ujësjellës Kanalizime Durrës Kasem Bejko shprehet se paralelisht me kontrollet dhe verifikimin në terren, UKD po verifikon të gjitha listat e punonjësve të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike nëse kanë kontrata me ujësjellësin e Durrësit apo nëse rezultojnë debitorë.
Që nga fillimi i muajit shkurt grupet taske-forcë kanë kryer 768 kontrolle në biznese duke mbajtur procesverbalet përkatëse, kanë kryer 8 prerje të lidhjeve të paligjshme duke bërë kallëzim penal për personat përgjegjës si dhe kanë ndërprerë furnizimin me ujë për 156 subjekte debitore.
Gjatë dy javëve të para të muajit shkurt në sportelet e Ujësjellës Kanalizime Durrës janë lidhur 290 aktmarrëveshje me qytetarët për pagesën e debisë së mbartur me anë të kësteve, janë kryer procedurat për instalimin e 830 matësve të ujit si dhe janë hapur 230 kontrata të reja.
Top Channel