Ashtu siç e lajmëroi mbrëmjen e kaluar në “Top Show”, ministrja Kumbaro është takuar pasditen e sotme me një grup artistësh në zyrën e saj.
Ndërkohë që zhvillohej takimi në ambientet e Ministrisë një grup tjetër artistësh e prisnin ministren në ambientet e Teatrit Kombëtar. Më pas, artistët zgjodhën dy përfaqësues të tyre, Kastriot Cipin dhe Ema Andrean, të cilët ju bashkuan tavolinës së ministres për të diskutuar mbi problemet.
“Ju pritëm në teatër, por mësuam që ishit në një takim me një grup tjetër artistësh. Ne kemi ardhur të përfaqësojmë një grup prej 200 personash, ndërsa artistët që kanë ardhur këtu, mirë kanë bërë që kanë ardhur, por përfaqësojnë veten”, u shpreh Ema Andrea para ministres.
I pyetur se nga Kastriot Cipi se nëse ministrja e Kulturës është kundër grupit të madh të pjesëmarrjes, apo kundër takimeve në godinën e Teatrit, ministrja Kumbaro u përgjigj se: “Unë nuk jam kundër asgjëje, por jam që në zyrat e shtetit ju konfirmoj të gjithë vullnetit tim për të dialoguar. Nëse duhet të bëjmë vendimmarrje të rëndësishme bëhet me formën e përfaqësimit. Jemi këtu për të dialoguar. Modeli i diskutimit është ai një tavoline në zyrën e shtetit”.
Në largim, duke i dorëzuar edhe disa propozime të artistëve, Kastriot Cipi theksoi se e presin ministren në Teatrin Kombëtar për vijimin e dialogut.
Më herët, Bujar Asqeriu dhe Laert Vasili, ngritën probleme dhe paraqitën kërkesa përballë ministres.
“Teatrot në bashki kanë vdekur. Unë nuk jam kalimtar dhe nuk mendoj për lekët, unë jetoj për teatrin, jam i vërtetë dhe nuk i servilosem askujt. Zonja ministre vlerësojini dhe respektojini artistët”, u shpreh Bujar Asqeriu.
Ministrja Kumbaro është shprehur se projektligji për artin dhe kulturën është hedhur në ueb për të nxitur debat dhe sugjerime, të cilat kanë filluar të vijnë nga bashkitë.
Laert Vasili ngriti disa kërkesa. “Të funksionojë në një mënyrë që të thithen sa më shumë fonde. Nëse ka mundësi biletat, ato që nxjerr teatri Kombëtar t’i ngelen Teatrit. Nëse ka mundësi të rishikohet edhe një herë çështja e Kategorive të aktorëve, mos ndoshta duhet të zhduken fare. Një propozim tjetër, të shohim nëse godina e re, mund të dalë në një institucion i pavarur nga Teatri Kombëtar. Kur Teatri të jetë i detyruar të zhvendoset të strehojë produksionet e tij në këtë godinë”, tha Vasili.
Top Channel