Kreu i opozitës Lulzim Basha e ka quajtur pamje të trishtë takimin e kryeministrit me senatin e Universitetit të Tiranës.
“Kryeministri që mbledh Senatin e Universitetit, kërcënon dhe fyen pedagogët, përqesh dhe denigron profesorët, është dëshmia e “pavarësisë” fallso të universitetit publik, ku rrogat i vendos ministri, strukturën e shkollave e vendos ministri, programet i vendos ministri, madje edhe ditën e fillimit të vitit shkollor e vendos ministri. Pedagogëve që kërkuan ballafaqimin, ju është fshehur dhe i sulmon e ju hakërrehet nga frëngjia e bunkerit ku ka futur përdhunshëm shumë nga të emëruarit e tij”, shkruan Basha.
Madje Basha e akuzon kryeministrin se e sheh dhe universitetin si bizneset e ndërtimit. “Universiteti duhet të bëjë para, duhet të bëjë biznes, ju thotë kryeministri pedagogëve, sepse edhe universitetin ky e sheh si bizneset e ndërtimit me të cilët ndan paratë. Një kryeministër injorant që nuk kupton se dija dhe shkollimi nuk është mall si çdo mall tjetër dhe universitetet nuk janë firma ndërtimi është në krye të një qeverie që mbjell injorancë”, shkruan ai.
Për kreun e PD-së, ka vetëm një zgjidhje autonomi e plotë akademike, financiare dhe adminsitrative. “Ka vetëm një zgjidhje për arsimin e lartë: autonomi e plotë akademike, financiare dhe administrative. Ka vetëm një zgjidhje për arsimin e lartë: universitete jo-fitimprurëse, jashtë kontrollit të qeverisë dhe të pronarëve”, shkruan ai.
Top Channel