Duke marrë shkas nga vonesat e fundit për pagat e pedagogëve, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me senatin e Universitetit të Tiranës, ku nuk munguan batuta deri për “prerje kokash”, nëse problemet me të cilat haset universiteti nuk gjejnë zgjidhje.
“Ju jeni bishti i fundit i kavallit të universiteteve të Shqipërisë ”, tha ndër të tjera Kryeministri.
Kjo është konsiderata që Rama ka për Universitetin e Tiranës, bazuar mbi akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, të kryer nga një kompani britanike.
Kreu i Qeverisë zhvilloi një takim në selinë e tij me Senatin e Universitetit të Tiranës, ku sqaroi se shqetësimet e ditëve të fundit për pagat e pedagogëve, ishin fryt i një moskuptimi tashmë të zgjidhur mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Financave.
Kryeministri Edi Rama: Fondet e universitetit trashëgohen dhe nuk varen nga vullneti, ose mosvullneti i Ministrisë së Financave. Rektori e konsideroi kosto të bukës së gojës! Ishte pak si shumë poetike si shprehje emocionale”.
Rektori Mynyr Koni: Unë në asnjë moment nuk kam përmendur bukën e gojës. Mund të jetë ndonjë thënie. Statusi im është i qartë!
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule: Na vjen turp të dalim në rrugë se dukemi si njerëzit që u shqetësuam se na u vonua rroga 3 ditë.
Në këtë takim, Rama i kërkoi Senatit të Universitetit të Tiranës të shfrytëzojë plotësisht autonominë që i jep ligji për të zgjidhur problemet që ka brenda vetes, por dekanë të ndryshëm iu ankuan për Rektorin, duke kërkuar nga Kryeministri zgjidhje ligjore.
Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha: Ç’punë ka Rektori të nënshkruajë kontrata financiare?!
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule: Të firmosë duke qenë në spital kontrata?! Kjo është e paimagjinueshme! Situata ka ardhur tani tek zgjidhja ligjore.
Edi Rama: Si zgjidhet kjo? Pa shkuar tek zgjidhja fundore, se po shkuam deri aty duhen prerë koka.
Kreu i Qeverisë bëri të qartë se ndryshimi i ligjit të arsimit të lartë, nuk shtrohej fare për diskutim.
Top Channel