Policia izraelite kërkon ngritjen e akuzave ndaj Netanjahut

14/02/2018 00:43

Policia izraelite kërkoi ngritjen e akuzave për korrupsion, kundër kryeministrit Beniamin Netanjahu. Në një deklaratë, policia bëri të ditur se ka prova të mjaftueshme për të paditur numrin një të ekzekutivit izraelit, për mitmarrje, mashtrim dhe shkelje të besimit në dy raste të veçanta.

Një prej tyre ka të bëjë me pretendimin se kryeministri i kishte kërkuar botuesit të një gazete izralite, t’i bënte një mbulim pozitiv mediatik në këmbim të dëmtimit të një rivali.

Ndërsa rasti tjetër fokusohet tek pretendimet se që prej vitit 2009, Netanjahu ka marrë më shumë se 100 mijë dollarë dhurata nga manjati i Hollivudit, Arnon Milchan dhe miliarderë të tjerë të huaj.

Pas një hetimi 14-mujor lidhur me çështjen, policia i dorëzoi rekomandimin prokurorit të përgjithshëm të vendit, i cili do të shqyrtojë provat dhe më vonë me gjasë pas disa muajsh, do të vendosë nëse do të ngrihen akuzat.

Menjëherë pas rekomandimit të policisë, Netanjahu doli në një konferencë për shtyp në Jeruzalem, duke mohuar të ketë kryer ndonjë shkelje. Ai tha se akuzat ishin të pabaza dhe përgënjeshtroi zërat se mund të dorëhiqet.

“Rekomandimet e policisë nuk do të prodhojnë asgjë dhe unë do të vazhdoj rolin tim”, ishte komenti i Netanjahut. Ministri i Drejtësisë Ayelet Shaked, pohoi se ngritja e akuzave ndaj një kryeministri nuk duhet ta detyrojë atë të dorëhiqet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA