Paketa për reduktimin e euros në ekonomi përmban tri masa. E para i detyron bankat t’u bëjnë të qartë qytetarëve që duan kredi në euro, si ndryshojnë pagesat e kredisë në të ardhmen nëse leku zhvlerësohet.
“Nëpërmjet sistemit bankar, t’i japim një shembull klientit kur aplikon për kredi sesi është ekspozimi i tij në të ardhmen në rast se do të kemi zhvlerësim të kursit të këmbimit”, tha guvernatori Gent Sejko.
Masa e dytë lidhet me rezervën e detyrueshme. Kur qytetarët apo bizneset depozitojnë para në bankë, bankat janë të detyruara që një pjesë të fondeve ta ngrijnë si rezervë në Bankën e Shqipërisë. Deri më sot, rezerva ka qenë 10 për qind e shumës, si për depozitat në euro, ashtu dhe për ato në lek.
“Kemi diferencuar rezervën e detyrueshme në 12.5 për qind për euron dhe e kemi ulur në 7.5 për qind për lekun. Gjithashtu një masë tjetër është edhe kërkesa për likuiditet, pra për normën e likuiditetit për euron, që është rritur nga 15 për qind në 20 për qind”, shpjegoi më tej guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Rritja e rezervës së detyrueshme i bën depozitat në euro më të kushtueshme për bankat. Ndaj për të kompensuar kostot shtesë, bankat kanë dy rrugë: të ulin interesat që u paguajnë qytetarëve për kursimet në euro ose të rrisin interesat për kreditë në këtë monedhë.
Ndërsa ulja e rezervës për lekun ka efektin e kundërt.
“Ne synojmë dhe tentojmë që të ulim normat e kredisë në lek dhe të shpërblejmë më mirë depozitat në lek”, tha Gent Sejko.
Por pse Banka e Shqipërisë kërkon të ulë përdorimin e euros në ekonomi? Arsyeja e parë është për të shmangur një krizë financiare në të ardhmen, nëse leku do të zhvlerësohej ndaj euros.
“Historia ka treguar në Shqipëri, në radhë të parë në vitin 1997, kur ka pasur një zhvlerësim të monedhës kombëtare, sesa humbje kanë pasur qoftë individët, qoftë bizneset. Njëkohësisht edhe në momentet e krizës së vitit 2008”, deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Arsyeja tjetër lidhet me politikën monetare. Kur Banka e Shqipërisë ndryshon normën e interesit, ajo ndikon vetëm depozitat dhe kreditë në lek, ndërsa mbi ato në euro nuk ka asnjë fuqi. Kështu që sa më shumë të rritet përdorimi i lekut, aq më lehtë mund ta nxisë Banka rritjen ekonomike.
Top Channel