Në kohën kur tek Prokuroria për Krimet e Rënda gjenden nën hetim dosje të bujshme, sikurse “Habilaj-Tahiri”, apo ajo e abuzimit me rrugën Tiranë-Elbasan, prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku u kërkoi prokurorëve përshpejtim të të gjitha çështjeve nën hetim.

Por, megjithë këtë kërkesë, Arta Marku ka shtuar se shpejtësia nuk duhet ta cenoje cilësinë e hetimeve, përderisa dosjet që hetohen tek Krimet e Rënda kanë ndjeshmëri të lartë publike.

Për këtë arsye, zonja Marku ka sugjeruar standardizim të proktokolleve hetimore. Për prokuroren e Përgjithshme pavarësia e prokurorëve mbetet e pacenuar.

Në analizën vjetore të Krimeve të Rënda ishte edhe prokurori shqiptaro-amerikan, Gjon Junçaj, i cili prej tre vitesh njihet edhe si këshilltar për prokurorët e Krimeve të Rënda për hetimin e dosjeve të korrupsionit, si edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.

Vizita e Arta Markut tek Krimet e Rënda vjen në një kohë kur vetë prokurorët e Krimeve të Rënda, që kanë hetuar prej 2014 dosje të forta, nuk dinë asgjë se çfarë do të ndodhë me ta.

Pritet që Krimet e Rënda të shkrihen për t’u zëvendësuar me Prokurorinë e Posaçme SPAK dhe asnjëri prej tyre nuk e ka më detyrën të garantuar.

Pikëpyetjet për vazhdimin në detyrë të prokurorëve të Krimeve të Rënda nuk ngrihen për shkak të vettingut, por për shkak se prokurorët e posaçëm të SPAK do të emërohen me procedura të ndryshme shtesë, ku përfshihet shprehja e pëlqimit për të qenë prokuror i posaçëm deri tek pranimi për të qenë i kontrolluar bashkë me të afermit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA