Mashtrimi i policit rrugor. Manipuloi procesverbalin e aksidentit kundrejt shpërblimit

14/02/2018 08:49

Një oficer i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës është pezulluar nga detyra dhe pritet të dalë përpara gjykatës për manipulim të procesverbalit të një aksidenti rrugor, që dyshohet se e ka bërë kundrejt një shpërblimi.

Manipulimet e një oficeri policie në një aksident rrugor mund të arrijnë deri aty sa të ndryshohet mjeti me të cilin ka ndodhur aksidenti. Me vendim të Gjykatës së Tiranës, oficeri O.GJ, emrin e të cilit për arsye hetimi nuk po e japim të plotë, është pezulluar nga detyra si oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisaritatit të Policisë Rrugore të Tiranës.

Oficeri O.Gj. dyshohet se ka shpërdoruar detyrën kundrejt një shpërblimi për të ndryshuar provat në një aksident rrugor me motor, në nëntor të vitit të kaluar. Nga aksidenti mbeti i plagosur vetë drejtuesi i motorit, i cili u dërgua për mjekim në Spitalin e Traumës. Por, nga verifikimet rezulton se drejtuesi i motorit nuk kishte patentë. Por, oficeri i Policisë Rrugore, kur ka hartuar procesverbalin, e ka ndryshuar motorin me biçikletë dhe e ka raportuar ngjarjen si plagosje nga biçikleta.

Në këtë mënyrë, drejtuesi i motorit i shpëtoi arrestimit, siç parashikon ligji për drejtim mjeti pa dëshminë përkatëse. Çështja po hetohet nga Prokuroria e Tiranës dhe pritet që së shpejti të dërgohet për gjykim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA