Prindërit e një djali invalid 32 vjeç, tezja, e bija dhe noterja janë bërë pjesë e një skeme të përfitimit të ardhurave të paaftësisë në kundërshtim me ligjin.

Për shtatë vite, familjarët kanë përfituar nga shteti rreth 30 mijë lekë të reja në muaj. Ligji nuk e lejon përfitimin e KEMP-it nëse invalidi nuk është rezident. Përfitimi mendohet të jetë deri në 25 milion lekë të vjetra.

Çifti Petalla nga Elbasani, kanë përfituar shtatë vjet pagese paaftësie/KEMP për djalin e tyre 32 vjeç, invalid i grupit të parë, me probleme të shëndetit mendor. Gjatë shtatë viteve të fundit ata kanë qenë me banim në Itali. Sipas tyre edhe djali është i pajisur me pasaportë italiane. KEMP-in e ka tërhequr tezja e djalit, por vetëm rishtazi ata kanë kuptuar që gjatë kësaj kohe tezja e djalit ka përfituar edhe KEMP si kujdestare. Pagesa për të cilat ata nuk kishin dijeni dhe se nuk i kishin marrë asnjëherë. Pasi kujdestarja e djalit në letra, por jo në realitet ka ndërruar jetë, për rreth dy vjet këtë pagesë e ka përfituar edhe e bija.

Pasi ky rast u verifikua nga gazetarët e Fiks Fare, u pa se edhe prindërit e djalit ishin ne shkelje të ligjit, pasi kanë përfituar pension/kemp për një invalid i cili nuk është rezident në vendin ku ka aplikuar. Sipas tyre edhe pse ai jeton në Itali, është paraqitur rregullisht në KMCAP sa herë ka qenë e nevojshme, i shoqëruar nga xhaxhai. Me të kuptuar që edhe ata vetë ishin shkelës së ligjit u larguan pa dhënë intervistë tek gazetarët e Fiksit. Por të gjitha këto fakte dolën nga biseda në rrjetet sociale me gazetarët.

Gjatë këtyre bisedave nëna e djalit pretendon se motra dhe mbesa kanë përfituar nga mirëbesimi i tyre dhe nga një notere në Elbasan, ku janë pranuar të deklarojnë pa firmën e prindërve që do të kujdesën për djalin.

Bashkëpunëtorët e Fiksit bashkë me nënën e djalit u paraqitën tek noterja Nurie Gjorga. Kjo notere pranoi se i kishte marrë deklaratat, por sipas saj këto deklarata nuk i jepnin atyre kujdestarinë. As nuk e urdhëronin KMCAP-në që t’i njihte si kujdestare. Ajo gjithashtu pranoi se ishte në dijeni të faktit që atyre nuk i takonte pensioni për djalin, pasi nuk ishin banues në Shqipëri.

Gazetarët e Fiksit intervistuan dhe përgjegjësin e zyrës sociale pranë Bashkisë Elbasan, Shefki Lika, i cili pranoi që ishte në dijeni të kësaj problematike, por sipas tij është noterja që nuk duhet të kishte lëshuar një deklaratë të tillë, ku djali është i paaftë mendërisht dhe mungon firma e prindërve.

“Unë nuk kam asnjë deklaratë noteriale tip të miratuar nga SHSSH, dhe ky i fundit sa herë ka bërë kontrolle nuk i ka konstatuar si gjetje, apo problematika këto lloj deklaratash”- shtoi Lika, duke e hedhur përgjegjësinë tek noteria Gjorga.

Biseda e plotë tek noterja Nurie Gjorga, Elbasan

Është një deklaratë që ti vjen deklaron tek unë, që unë do t’i shërbej kësaj deri sa ajo të jetë e sëmure…jemi ok këtu? E deklarove ti! Dhe mban përgjegjësi ti që deklaron.
Fiksi – Ai fëmijë ka prind! Ka Xhulin dhe Ramizin…
Noterja – Ore prindit s’i kishte ai. I kishte mrena, kur ka bërë ajo deklaratën.
Mamaja – Unë nuk isha mrena. Unë isha jashtë por e bllokume.
Noterja – Po pra. Nuk vije dot ti këtu në Shqipëri.
Noterja- Nuk e gjykoj unë atë, ja jap apo nuk ja jap pensionin! Sepse kur bën deklaratën tek unë ti, bën deklaratë…mund të vish të më thuash kështu ti “Unë do vras këtë.” Është deklarata jote. E kupton? Ajo ka firmos vetë dhe mban përgjegjësi vetë.
Fiksi – Ti me atë dokument je në rregull?
Noterja – Nga ana ligjore. Tani, nga ana njerëzore, të thuash hakshe-hakshe ajo është përkujdesur, dhe unë e shikoja që kur vinte e mbante çunin mrapa.
Mamaja – Po çfarë, dy ditë tre ditë, pesë ditë???
Noterja- Shiko unë nuk i hyj se sa ditë.
N- E merr lekun ti, se ku e çon, se ja jep kësaj e se nuk ja jep kësaj, unë nuk i hyj…se nuk është se flija me Meritën dhe të dija se ku i çonte lekët ajo.
Mamaja – Ajo më thoshte mua merrja pension, jo edukatriçe!
Noterja – Po ku e di unë me motër ça të ka thënë ty ajo.
Mamaja – Merrte pension te veçantë ajo.
Noterja – Nuk e di fare.
Fiksi – Ajo e ka marrë kujdestarinë pa miratimin e këtyre!
Noterja – Tek ajo deklarata që kam bërë unë nuk është që do marri kujdestarinë, apo nuk do e marri. Ka një komision, ka një KMCAP që e vendos.
N- U zhduk kjo sepse ajo iku (vdiq). Tani kjo ka problemin që kjo një vit e gjysmë i ka marrë edhe Fiori(e bija) ato lekë.
Noterja- Tani kjo do përplaset me këtë, do thuash ti qysh do përplaset! Ose në qoftëse do diktohet sepse ai pension nuk i takonte fare që ta merrte. Sepse nuk jetonte këtu në Shqipëri. Dhe për një pesë lekësh…
Fiksi – Patjetër po..
Noterja- Po, po.
Fiksi – Po tjetër gjë ajo…
Noterja- Po tjetër gjë ajo sepse u rregulluan gjërat. Po ta kapi sistemi, gjë që do ta kapi se s’bën, jua jap unë me 100 firma.
Noterja- Do ngrenë padi sigurimet shoqërore dhe do i thonë kësaj që ke kaq lekë për të paguar. Kjo do dali me parullën që nuk i kam marrë unë po i ka marrë tjetër kush.
Noterja- Do të hy unë në mes. Të qetësohen gjakrat. Të lindi ajo. Do qetësohen ttt…Ti vazhdo merri lekët. Po qe se do t’i japin ato lekë. Ti e di shumën se sa e ke, sepse e ke me dokumente. Po i acarove edhe marrëdhëniet këtej ty do ta shkëpusin fare edhe atë pension. Merre sa ta hash, ta hash…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA